“U la në burg për dy akuza”, avokati i Dakos: SPAK nën trysninë e ndërkombëtarëve

6 Qershor 2023, 22:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Petrit Ismaili,avokati i Vangjush Dakos

Avokati i ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, Petrit Ismaili, ka dhënë mbrëmjen e sotme një deklaratë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Ai tha se Vangjush Dako “është i gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë”. Avokati zbuloi se vendimi i gjykatës, ‘arrest me burg’ për Dakon sapo ishte ekzekutuar. Ai po ashtu konfirmoi se klienti i tij akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste.

“Sapo u ekzekutua vendimi i GJKKO e cila ka vendosur arrest me burg, është një akuzë për shpërdorim detyrë në 2 raste. Një rast është kallëzim i një grupi banorësh që pretendojnë që ka pasur shkelje në kolaudimin e një objekti. Një kallëzim është në prag të zgjedhjeve 2021 nga Ferdinand Xhaferri”.

Avokati e konsideroi arrestimin e Dakos të panevojshëm.

“Paraprakisht SPAK nuk po mban dot ekuilibër nën trysninë mediatike të opinionistëve, të politikës, por edhe ndërkombëtarëve dhe nën këtë trysni po merr masa të nxituara. Gjykoj që nuk ka qenë fare e nevojshme masa e sigurimit arrest me burg. Në momentin e arrestimit jam unë që kam njoftuar drejtorinë e policisë pas sinjalizimit nga mediat. Nuk ka vajtur policia në banesën e Dakos, ai ka qenë në Tiranë, në momentin që kemi parë në media kemi njoftuar autoritetet përkatëse kanë ardhur dhe kanë ekzekutuar vendimin”, tha avokati.

I pyetur nga gazetarët nëse Dako ka probleme shëndetësore, avokati e mohoi diçka të tillë.

 

Video