Shefi i SPAK, Altin Dumani nuk e ka fshehur habinë për një detaj surprizues në lidhje me operacionin e fundit antidrogë që është zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre finlandeze, i finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm pas një hetimi dyvjeçar.
Dumani vuri në dukje se është herë e parë që SPAK ka goditur një grup shqiptar që trafikonte drogën sintetike, pasi sipas tij, grupet kriminale shqiptarë, preferojnë përherë kokainën, heroinën dhe kanabisin,
“Ne na ka bërë përshtypje si SPAK sepse është hera e parë që evidentojmë një grup kriminal që shet drogë sintetike. Kemi parë që grupet shqiptare janë të dhëna pas kokainës, heroinës dhe kanabisit, por tani është hera e parë që shohim një grup që vepron në fushën e trafikimit të drogave sintetike”, u shpreh ai.
Altin Dumani tha se në Shqipëri, kryesisht për drejtuesit dhe anëtarët e nivelit të lartë të grupit, janë lëshuar 11 urdhërarreste dhe 9 prej tyre janë ekzekutuar.
Pra, nëntë persona janë arrestuar, një shtetas nuk është lokalizuar dot, kurse i njëmbëdhjeti rezulton jashtë Shqipërisë.
“Organizatorët preferonin të qëndronin këtu në Shqipëri dhe e drejtonin nga këtu grupin. Janë lëshuar 11 urdhërarreste, të gjithë shtetas shqiptarë. 10 janë në Shqipëri dhe një rezulton se nuk është në Shqipëri”, sqaroi kryeprokurori.
Dy nga krerët e grupit kriminal që qëndronin në Shqipëri dhe drejtonin grupet kriminale në Finlandë, ishin me origjinë nga Vlora. Kryeprokurori i SPAK vlerësoi bashkëpunimin me homologët.
“Bashkëpunimi ka qenë shumë intensiv. Hetuesit tani kishin komunikim të përditshëm me homologët finlandezë dhe është bërë e mundur falë ndjekjes në dinamikë”, u shpreh Altin Dumani.