Drogë në Finlandë/ Kreu i SPAK, Dumani: Aktiviteti kriminal organizohej në Shqipëri, fokusi te drogërat sintetike

3 June 2025, 13:06Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Drogë në Finlandë/ Kreu i SPAK, Dumani: Aktiviteti kriminal

Një operacion i përbashkët i SPAK me autoritetet finlandeze, çoi në goditjen e një grupi kriminal shqiptar të drogës në Finlandë.

Hetimi ka nisur dy vite më parë në Shqipëri, ndërsa mëngjesin e sotëm janë lëshuar urdhra arresti për 11 persona dhe 9 prej tyre janë arrestuar.

Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi se aktiviteti kriminal organizohej në Shqipëri.

Dumani shtoi se fokusi i këtij grupi, ishin drogërat sintetike

“Aktiviteti shtrihet në vite. E dyta organizatorët apo krijuesit e grupit preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin aktivitetin kriminal. Sot gjykata ka lëshuar 11 masa sigurimi, të gjithë janë shtetas shqiptar, 10 ishin në Shqipëri, një jo. Janë 54 persona të proceduar, shumica prej tyre të dënuar në Finlandë. Në Finlandë janë edhe shtetas finlandez, jo vetëm shqiptarë. Edhe shtetësi të tjera. Ajo që ne si SPAK na ka bërë përshtypje është se në hetimet tona është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus edhe droga sintetike. Deri tani kemi parë se kryesisht grupet shqiptare janë pas kokainës, heroinës apo marihuanës e kanabisit. Sasitë janë të mëdha. Kemi kapur edhe ekstazi. Të gjithë e dimë rrezikun që paraqet për shëndetin e konsumatorit këto drogëra sintetike. Ky grup kriminal kishte një rrjet të tyre në Finlandë dhe në mënyrë periodike herë pas herë dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre që shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndës narkotike.”, u shpreh Dumani.

 




Video