Qytetarë dhe aktivistë vijuan edhe sot protestën kundër ndërtimit të resortit në zonën e Zvërnecit, duke u mbledhur për të tetën ditë radhazi në Tiranë.
Protestuesit marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, ku kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe kundërshtuan projektin që, sipas tyre, dëmton mjedisin dhe interesin publik.
Me thirrjet “Dorëheqje”, “Rama në burg, Berisha në burg”, pjesëmarrësit ngritën shqetësime që lidhen jo vetëm me projektin në Zvërnec, por edhe me emigrimin, pronat, drejtësinë, arsimin dhe shëndetësinë.
Një nga momentet më simbolike të tubimit ishte vendosja e një gomoneje para Kryeministrisë.
Sipas protestuesve, ajo përfaqëson emigrimin masiv të shqiptarëve dhe largimin e të rinjve nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.
Gjatë protestës, disa qytetarë të ardhur nga emigracioni mbajtën fjalime, duke u bërë thirrje të rinjve të mos largohen nga Shqipëria.
Një emigrante nga Shkodra deklaroi se emigrimi nuk është zgjidhje dhe ftoi diasporën të kthehet për të kontribuar në vend.
Një tjetër protestuese iu drejtua Kryeministrit me mesazhin se diaspora nuk do të vijë vetëm për pushime, por edhe për të protestuar.
Ndërkohë, pjesëmarrës të tjerë kërkuan hetim nga SPAK për projektin në Zvërnec dhe më shumë transparencë mbi procedurat e ndjekura për investimin.
Gjatë tubimit u prezantuan edhe kërkesat kryesore të protestuesve, të cilat përfshijnë dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e statusit të investitorit strategjik, anulimin e “Paketës së Maleve”, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjet për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Po ashtu, nga podiumi u bë thirrje për një mobilizim më të gjerë qytetar më 10 qershor, me synimin për krijimin e një lëvizjeje mbarëkombëtare.
Deri në orët e mbrëmjes, protesta para Kryeministrisë vijon me fjalime dhe pjesëmarrje qytetare, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e tubimeve edhe në ditët në vijim.