Prokuroria mbylli çështjen, Ilir Meta kërkon rikthimin e hetimeve në Gjykatë për punonjësit e paraburgimit 313

21 Korrik 2026, 12:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Meta

Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës pas vendimit të Prokurorisë së Tiranës për të mos nisur procedim penal ndaj punonjësve të paraburgimit 313.

Meta ka kundërshtuar vendimin e prokurorisë për mbylljen e verifikimeve lidhur me kallëzimin e tij, ku denonconte punonjësit e institucionit të vuajtjes së dënimit për shpërdorim detyre.

Në kallëzimin e tij, ai pretendonte se punonjësit e paraburgimit kishin abuzuar me detyrën për mënyrën e trajtimit të tij gjatë qëndrimit në paraburgim, si dhe për pengimin e komunikimit të tij.

Pas verifikimeve të kryera, Prokuroria e Tiranës nuk vendosi askënd nën përgjegjësi penale dhe mbylli çështjen.

Meta ka kërkuar nga Gjykata e Tiranës që të rrëzojë këtë vendim dhe të urdhërojë prokurorinë për të vijuar hetimet.

Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Vjollca Sahiu, e cila do të vendosë nëse hetimet do të rihapen apo do të mbetet në fuqi vendimi i prokurorisë.


Video