Policia shoqëron dy persona për kërcënimin e gazetares në Rrogozhinë

16 July 2023, 15:10Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia shoqëron dy persona për kërcënimin e gazetares
Gazetarja ishte duke raportuar nga Rrogozhina, ku pritet të ripërsëriten zgjedhjet vendore

Dy persona janë shoqëruar në policinë e Rrogozhinës pasi janë akuzuar se kanë kërcënuar gazetaren Marsi Korreshi, teksa po raportonte për një takim të kandidatit Edison Memolla me sipmatizantët.

Dy persona i janë afruar grupit të xhirimit të SyriTV dhe i kanë kërkuar të largohen dhe të mos filmojnë një ambient privat.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 11:55, Policia e Rrogozhinës ka marrë një telefonatë për ndihmë, nga ekipi i xhirimit të televizionit Syri TV, pasi gjatë kohës që po realizonin një kronikë, në qytetin e Rrogozhinës, pranë një lokali, 2 shtetas i kishin kanosur dhe iu kishin kërkuar që të largoheshin dhe të mos filmonin ambientin privat.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së telefonatës, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë marrë kontakt me pjesëtarët e ekipit të xhirimit dhe i kanë këshilluar për të bërë kallëzim në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, por ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim, por janë marrë dëshmitë e tyre mbi rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë identifikuan dhe shoqëruan menjëherë në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, për veprime të mëtejshme procedurale, 2 shtetasit e përfshirë, konkretisht shtetasit A. M., 65 vjeç dhe A. M., 47 vjeç, të dy banues në Rrogozhinë.

Policia e Shtetit e çmon shumë të vlefshme dhe të rëndësishme punën e gazetarëve, si dhe marrëdhënien e tyre me Policinë e Shtetit, prandaj në këtë kuadër i siguron gazetarët se do të kenë gjithmonë mbrojtjen e Policisë, si dhe reagim të menjëhershëm, konform ligjit, ndaj kujtdo që tenton të cenojë apo pengojë gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre.


Video