Isar Qallija, i afërm i 19-vjeçarit Erjon Xhenje, që u vra më armë zjarri një ditë më parë në Shkodër, ka reaguar për ngjarjen e rëndë.
Në një postim në Facebook, Qallija shprehet se Shkodra ka vite që mbahet peng nga një luftë mes bandash me përkrahje politik.
“Banda që e kanë kthyer atë qytet më keq se Palermon dhe Policia e Shtetit nuk guxon të bëjë punën e saj, sepse këta njerëz mbrohen nga lart për çdo gjë që bëjnë”, shprehet ai.
Sipas Qallijas deri më tani janë vrarë vetëm qytetarë të pafajshëm dhe asnjë kokë bande në këtë qytet.
“Në fakt me gjithë numrin e madh të të vrarëve në Shkodër, asnjë koke bande nuk është vrarë. Janë vrarë vetëm qytetarë të pafajshëm, punëtorë ferme, punëtorë shezlongesh, shitës peshku, të cilët buka e gojës i ka çuar aty”, shkruan ai.
Qallija nënvizon më tej se ka ardhur koha që qytetarët e Shkodrës t’i bëjnë presion shtetit, që t’i japë fund kësaj lufte mes bandash dhe jo të përkrahë banditë.
Ai sqaron më tej se nuk ka asnjë aryse që të vritej një 19-vjeçar, i cili është rritur nga dy prindër që kanë bërë vetëm punë të ndershme.
“Vjen nga një familje e thjeshte, e ema mësuese, i ati ka punuar si shofer, është marrë me rritje bletësh dhe punë të ndryshme për të mbajtur familjen me djerse dhe me nder. Njerëz të qetë, të urtë e fjalë mirë. Sot marr vesh se i Erjoni paska punuar në një nga fermat e personave me precedent penalë?! A është kjo arsye te vritet një 19-vjeçar?! Ne jetojmë në Shkodër e dimë mirë se kush i ka bizneset atje dhe si i kanë bërë”, përfundon ai.