'Hajde në shtëpi se po errësohet'/ Përplasja mes bandave dhe larja e hesapeve dyshohet se 'vranë', Erjon Xhenjën

19 Shtator 2022, 09:39Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Detaje të reja nga vrasja e 19-vjeçarit në Shkodër, përplasja mes bandave është pista kryesore ku janë përqendruar hetimet. Mësohet se atentatorët kanë vëzhguar lëvizjet e 19-vjeçarit Erjon Xhenje, i cili u qëllua me breshëri plumbash, duke mbetur i vdekur.

Mediat shkruajnë se një person ka qenë duke vëzhguar lëvizjet e 19-vjeçarit, ndërsa në momentin që ai ka qenë duke pirë kafe është qëlluar nga dy persona me motoçikletë.

Mësohet se pak përpara se të ndodhte atentati, babai i 19-vjeçarit e kishte telefonuar djalin e tij duke i kërkuar që ta shoqëronte deri në Mal të Zi, por Xhenja e kishte refuzuar duke i thënë se ishte në lokal dhe po pinte kafe. Pak pas vrasjes, i ati u informua dhe shkoi në vendin e ngjarjes, ku u pa edhe duke shpërthyer në lot për të birin.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa janë sekuestruar kamerat e zonës ku ndodhi atentati, me qëllim vëzhgimin e tyre nëse mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Sakaq, janë marrë në pyetje edhe persona në lidhje me ngjarjen, por ende nuk ka asnjë shenjë nga autorët.

 


Video