Përplasja me njerëzit e Agron Kapllanajt, policia me njoftim zyrtar: Goditën agjentët e BKH-së

15 Prill 2025, 23:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Agron Kapllanaj

Policia e Fierit ka dalë me një deklaratë zyrtare për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme, ku disa familjarë të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, janë shoqëruar në Komisariat pasi kanë kundërshtuar me forcë agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në reagimin e bluve të Fierit thuhet se shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit pasditen e sotme, kur edhe u regjistrua incidenti.

Po ashtu sqarohet se efektivë të policisë dhe agjentët e BKH-së janë dhunuar teksa ndodheshin në aksin rrugor Fier-Patos.

“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier-Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, bën me dije policia.

 

 

Video