Mbrëmjen e së hënës nëpërmjet një sulmi të organizuar nga patronazhistët e Qeverisë u mbyll llogaria në Instagram e Joq Albania me mbi 1.3 milionë ndjekës. Me sa duket e vërteta therëse e realitetit që na rrethon, e denoncuar nga qindra-mijëra shqiptarë në inboxin e Joq Albania, i ka prishur propagandën kryeministrit në prag të zgjedhjeve vendore.
Por përse dhe si ka ndodhur mbyllja e llogarisë së Instagramit me 1.3 milionë ndjekës të Joq Albania nga ana e patronazhistëve që paguhen nga taksat tona?
Faqja JOQ Albania nëpërmjet një njoftimi ka denoncuar disa raste që janë sulmuar nga Qeveria për denoncimet që kanë bërë ndaj qeverisjes.
***
Denoncimi i JOQ Albania
RASTI 1
E gjitha filloi me një video të publikuar pak ditë më parë në rastin e përmbytjes nga shiu të lagjeve në Don Bosco, Tiranë. Video në fjalë ishte hedhur si story në instagramin zyrtar të Joq Albania. Befas pak orë më pas ajo fshihet nga instagrami me arsyen absurde se story në fjalë ishte kundër udhëzimeve ndaj dhunës dhe organizatave të rrezikshme. Sipas kësaj logjike, duke publikuar një video ku tregohej përmbytja e rrugëve në Don Bosco, ishte dhunë dhe organizim i rrezikshëm. Nuk kuptohet se për kë ishte dhuna apo organizimi i rrezikshëm në këtë rast veçse kundra propagandës dhe paraqitjes me fakte se rrugët në Don Bosco ishin përmbytur.
RASTI 2
Rasti i dytë kishte të bënte më një lajm të përkthyer nga mediat më prestigjoze ndërkombëtare. Sipas një raporti shkencor, luajtja e video-lojërave mund të shkaktojë aritmi kardiake kërcënuese për jetën tek fëmijët me sëmundje të padiagnostikuara të zemrës. Në raportin e botuar në revistën “Heart Rhythm”, shkencëtarët u kërkuan prindërve që t'i çojnë fëmijët që vuajnë nga ulja e tensionit apo të fikëtit gjatë lojës, tek një specialist i zemrës. Madje sipas specialistes Dr Claire M Laëley, "Video-lojërat mund të përfaqësojnë një rrezik serioz për disa fëmijë me kushte aritmike; ato mund të jenë vdekjeprurëse në pacientët me kushte aritmike predispozuese, por shpesh të panjohura më parë”. Ky lajm u publikua nga Joq Albania për të informuar prindërit në mënyrë që të bëjnë konsulta tek mjeku nëse fëmijët e tyre kanë patur episode të humbjes së ndjenjave gjatë lojërave elektronike, pasi në rats neglizhence mund të shpinte deri në vdekje tek fëmijët. Lajmi në fjalë u publikua edhe si story në instagramin e Joq Albania. Vetëm pak orë më pas, për habi story u fshi, me të njëjtin motivacion: ishte kundër udhëzimeve të instagramit ndaj dhunës dhe organizatave të rrezikshme. Kjo fshirje ishte me të vërtetë absurde pasi as në këtë rast nuk bëhet fjalë për dhunë apo organizata të rrezikshme.
RASTI 3
Rasti i tretë ishte akoma më i pabesueshëm nga dy të tjerët. Joq Albania bëri një lajm në lidhje me 6 të rinj shqiptarë të konsideruar si heronj të vërtetë për shkak se për vetëm 33 orë plotësuan shumën e konsiderueshme prej 600.000€ për të ndihmuar Klevis Gjelucën, djalin e aksidentuar në Shkodër për t’u kuruar në një spital në Romë. Bëhet fjalë për Aleks Vishën (i cili raportohet se ka qëndruar 24 orë zgjuar duke mbledhur donacione), Ideal Domin (i cili përpos se ka kontribuar me grupin e djemve ka dhuruar mbi 8000€ personalisht në llogarinë e Go Fund Me), Rudian Balliun, Fabio Dushkun (pavarësisht se është i mbyllur në një burg të Greqisë, ishte pjesë e grupit të të rinjve shqiptarë që në TikTok kanë mbledhur donacionet), Flori dhe Dijonis Biba (të cilët kanë qëndruar live duke u shpjeguar njerëzve si të kontribuojnë), së bashku me disa djem të tjerë. Ky lajm i cili ngriti peshë zemrat e shqiptarëve për shkak të humanizmit dhe reagimit tepër të shpejtë të treguar, u hodh edhe si story në instagramin zyrtar të Joq Albania. Për habi, pak orë më pas kjo story fshihet nga instagrami me të njëjtin motivacion: ishte kundër udhëzimeve ndaj dhunës dhe organizatave të rrezikshme. Është e paqëartë nga çdo mendje e shëndoshë se si mund të jetë nxitje dhune apo organizim i dhunshëm ndihma që 6 të rinj i dhanë Klevisit për të plotësuar në kohë rekord shumën e nevojshme që të kurohej në Itali.
RASTI 4
Të impresionuar nga veprimi i madh human i gjashtë të rinjve për të mbledhur shumën e konsiderueshme për dërgimin e Klevisit për kurim në Itali, Joq Albania bëri një sondazh nëpërmjet një story në llogarinë e saj zyrtare në instagram. Pyetja e sondazhit ishte: “Kush e meriton ta drejtojë Tiranën”? Si përgjigje të sondazhit ishin dy alternativat e mëposhtme:
A) “Çunat që mblodhën donacionet për Klevisin” dhe B) “Erion Veliaj me grupin e tij”.
Votimi ishte masiv dhe 98% e publikut zgjodhi padyshim alternativën e parë, pra: “Çunat që mblodhën donacionet për Klevisin”. Edhe kësaj rradhe instagrami e fshiu storyn egzaktësisht për të njëjtin motiv: story ishte kundër udhëzimeve të instagramit ndaj dhunës dhe organizatave të rrezikshme.
RASTI 5
Rasti i Pestë dhe i fundit ishte përveçse i habitshëm edhe për të vënë duart në kokë. Një lajm kronike ku një polic kufitar aksidentoi për vdekje një të mitur në moshë 12-vjeçare, u raportua thuajse nga të gjitha mediat. Ky lajm u raportua edhe nga gazetarët e Joq Albania dhe u paraqit edhe në story. Titulli i lajmit ishte: “Polici kufitar aksidentin për vdekje 12-vjeçarin në Gjirokastër”. E gjeni dot se çfarë ndodhi? Edhe në këtë rast pak orë pas publikimit të storyt, instagrami e fshiu përsëri me të njëjtin motiv si 5 rastet e mëparshme: story konsiderohej kundër udhëzimeve të instagramit ndaj dhunës dhe organizatave të rrezikshme. Ky story kishte si foto ilustruese një makinë policie. Në këtë rast pyetja që ngrihet është: A mos vallë instagrami e konsideron policinë shqiptare si të dhunshme dhe si organizatë të rrezikshme?
Të gjitha këto sulme të njëpasnjëshme me të njëjtin motiv dhe për një hark kaq të shkurtër kohor tregojnë qartësisht se një armatë e tërë patronazhistësh që paguhen nga taksat e shqiptarëve kanë raportuar për dhunë çdo story të publikuar nga Joq Albania. Pra me lekët e taksave të shqiptarëve Edi Rama ka mbyllur instagramin e të vetmes media ku çdo shqiptar pa dallim gjente një vend ku halli i tij pasqyrohej pa mëdyshje e pa censurim.