Rreth 1 kg kokainë është kapur nga Policia e Tiranës në momentin e shkëmbimit mes disa personave. Uniformat blu kanë vënë në pranga dy shitësit, teksa ka arritur t'iu ikë blerësi.
Në kuadër të operacionit "White pack" janë arrestuar shtetasit Sokol Gjeci, 54 vjeç, banues në Maminas, Durrës dhe Albert Cenaj, 42 vjeç, banues në Shijak. Ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi S. Gj., 23 vjeç.
"Shërbimet e Policisë kanë evidentuar, në Marikaj, shtetasit e arrestuar Sokol Gjeci dhe Albert Cenaj, duke i dhënë pakon me rreth 1 kg e 30 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 23-vjeçarit që sapo ka vënë re shërbimet e Policisë, është larguar me vrap." thuhet në njoftimin e Policisë.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar pakon me 1 kg e 30 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 2 automjete, një peshore mekanike, një aparat celular dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e 23-vjeçarit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.