Nuk ka virus të ri nga Kina/ Mjeku Arjan Harxhi shpjegon sëmundjen infektive

10 Dhjetor 2023, 10:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nuk ka asnjë virus të ri apo sëmundje infektive që po përhapet nga Kina, por një bakter, i cili ka ekzistuar  gjithmonë dhe që ka shkaktuar rritje të numrit të fëmijëve  me infeksione respiratore apo pneumoninë e bardhë sikurse e quajnë në Kinë.

Mjeku infeksionist prof Dr. Arjan Harxhi shpjegoi për Top Channel se nuk ka vend për panik pasi çdo vit ka raste me këtë pneumoni edhe në Shqipëri.

“Nuk bëhet fjalë për një shkaktar për një virus të ri, që mund të na vijë nga Kina. Bëhet fjalë për pneumoni, një inflamacion i mushkërive, shkaktuar nga një bakter që quhet mykoplasma, një bakter që njihet prej dekadash, që ne e kemi të pranishëm çdo vit në Shqipëri, kudo në Europë, në Amerikë, në Azi”, shpjegon Harxhi.

Profesor Harxhi shpjegon se është bërë më shumë zhurmë, ngaqë flitet për raste me Kinën dhe nga eksperienca e Covid-it merr vëmendje të shtuar edhe pneumonia e shkaktuar nga bakteri mykoplasma.

“Mykoplazma është një bakter i vogël që shkakton pneumoni. Është shumë i përhapur. Në SHBA, për shembull raportojnë se rreth 1 milion vetë preken çdo vit nga ky bakter por vetëm një përqindje e vogël mund të japë pneumoni dhe është një pneumoni e lehtë, që kalohet në këmbë dhe trajtohet me antibiotik. Pra nuk është për t’u alarmuar”, thotë profesori.

Sipas Harxhit, nuk shfaq klinikë të rëndë, përveçse tek individë me imunitet të ulët.

“Edhe nga Kina nuk kemi marrë informacione që ecuria klinike të jetë e rëndë, të jetë e rrezikshme. Dhe nga raste që ne ndjekim çdo vit me pneumoni atipike, sepse kështu quhet shkencërisht, me një cikël antibiotikësh nga goja për 7-10 ditë, kalon”.

Video