Tre persona kanë qëlluar me armë zjarri drejt policisë, pasi janë kapur prej tyre në flagrancë duke grabitur një banesë në fshatin Prush të Tiranës.
Msohet se edhe policia është kundërpërgjigjur duke hapur zjarr, por autorët janë larguar me një makinë tip "Audi" me ngjyrë të bardhë dhe me targa të vjedhura "AA 945 SG". Edhe gjatë largimit me makinë, ata kanë tentuar të godasin makinën e policisë. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk raportoher për të plagosur.
Policia thotë se zona është rrethuar tashmë edhe nga forcat speciale RENEA, të cilët po krehin zonën me qëllim rënien në gjurmët e autorëve.
"Më datë 09.12.2023, rreth orës 19:13, në fshatin Prush, përballë ambulancës, në banesën e shtetasit G. H., janë futur disa persona, të armatosur.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe në momentin që janë afruar afër banesës, tre personat e armatosur, kanë qëlluar me armë ndaj tyre. Policia është përgjigjur me armë ndaj tyre.
Shërbimet e DVP Tiranë, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar", bën me dije policia e Tiranës.