“Ndodhet në Laç, bashkë me grun...”/ Bajri-Bilali plan për vrasjen e babait të Ibrahim Licit. Për kapjen e Dulit u fut polic “Juli”

14 Gusht 2023, 09:43Aktualitet SHKRUAR NGA ELTON QYNO
Behar Bajri, Astmer Bilali, Mustafa dhe Ibrahim Lici

Listës së gjatë të personave për t’u vrarë nga Behar Bajri dhe Astmer Bilali, nuk ishin vetëm kundërshtarët potencialë që i rrezikonin jetën, por edhe prindërit e tyre.

Siç del në dosjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në planet e Beharit dhe Astmerit, ka qenë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak Shkodër, Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit.

Ibrahimi dhe Dorian Duli shiheshin si dy persona që shfaqnin rrezik për grupin Bajri, ndaj një rrjet i tërë me spiunë në polici dhe fshatrat përreth ishin aktivizuar për të gjetur vendndodhjen e tyre.

Madje, në një rast teksa shefi i Krimeve të Rënda Ardrit Hasanbegaj, bisedon me Pëllumb Gjokën, i shprehet këtij të fundit në vitin 2020 se Dorian Duli, qëndron në një hotel në Himarë dhe se për ta gjetur do aktivizojë “Julin”, një tjetër polic në Policinë e Vlorës.

Njëherësh spiunët informonin Behar Bajrin dhe për lëvizjet e Mustafa Licit, i cili ishte në plan dytësor për t’u vrarë.

Gjatë një bisede në “Sky” të zbardhur nga ekspertët francezë të hetimit, Behar Bajri komunikon me Astmer Bilalin dhe i tregon që “Mustafa (Lici)” ndodhet në Laç të Vaut të Dejes.

Informatori i grupit në këtë zonë i ka treguar Behar Bajrit, se Mustafa ishte parë së bashku me gruan, nga ora 09:00 e paradites.

Ndërsa Astmeri e pyet: “...A ja din vendin ku është...?”

Behari i tregon që: “...Ka qenë në Laç dhe e kanë parë duke u kthyer...”

Por Astmeri i thotë se në çfarë shtëpie ka qënë dhe se s’mund ta kapnin kështu pa u përgatitur.

“...Duhet ta kemi informacionin më përpara që ta kapim se ndryshe nuk bëjmë dot punë...” - ia kthen Astmer Bilali.

Astmeri në vazhdimësi i tregon që: "...Ja kam gjet hotelin atij (Dorian Dulit) ku ka qenë në jug. Kena lënë njerëz atje me pa, ishalla po e shohin atje...”

Behari i thot që: “...Ka qenë me një makinë audi ngjyrë kafe A3...”

Astmeri i shprehet që: “...Nuk ja di këtë makinë...”

Ky informacion për vendndodhjen e mundshme të Dorian Dulit në Himarë, i përcillet nga Behar Bajri dhe Pëllumb Gjokës, i cili më tej informon shefin e Krimeve në Shkodër, Ardrit Hasanbegajn, për të kryer verifikimet.

Në 21 gusht 2020 në orën 00.02 Pëllumb Gjoka, komunikon me Ardit Hasanbegajn, ku Pëllumbi ja ka dhënë dhe emrin e hotelit se ku po qëndronte Duli ne Himarë.

Ardriti shprehet që: “...Po është në zonën e Himarës, e kemi kollaj se kemi atë shokun tim, në Vlorë e kontrollon “Juli”. Po nuk ka 100 hotele me këtë emër. Në zonën e Himarës po lidhem nesër vëlla, i themi këtij shokut t’i kontrollojë të gjitha nga janë njerëzit që janë nëpër dhomat e hotelit...”/Ora News


Video