Ndihmuan dhe strehuan Talo Çelën si dhe siguruan kushte për vrasje, arrestohen në Dubai 3 persona (EMRAT+FOTO)

8 Maj 2025, 08:35Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ervis Daka, Ado Xhika dhe Maksim Koçi

Tre persona në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Dubai.

Sipas njoftimit të policisë Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit, dhe përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çelës.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale dhe koordinimit konstant të veprimeve operacionale, mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, realizuar nëpërmjet strukturave të Interpolit, u finalizuan në Dubai, 3 faza të tjera të operacionit “The Wanted”. Konkretisht, u kapën shtetasit:

-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:

-ka informuar shtetasit që kanë tëntuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij;

-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S.;

-ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar T. Ç.

-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:

-ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A.;

-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S.;

-ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur;

-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:

-për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin T. Ç., duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë;

-ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit T. Ç.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.

Video