Dy persona të cilët shantazhuan një grua që t’iu jepte 2000 euro, për të fshirë disa foto intime të saj, nga rrjeti social “Tik Tok”, janë arrestuar në Gjirokastër.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania) në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Profili”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Albano Xheka dhe Artur Lika, 45 vjeç dhe 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur nëpërmjet celularit, një 40-vjeçare, për dhënien e shumës 2000 euro, që të fshinin disa foto intime të saj, nga rrjeti social “Tik Tok”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.