"Mos ta lëshojnë këtë popull në gjakderdhje"/ Banorët e Baks-Rrjollit vijojnë protestat: Ndërtimi i resortit turistik të Bashkim Ulajt është vjedhje e tokës sonë!

9 Shkurt 2026, 10:05Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Baks-Rrjollit/ Bashkim Ulaj

Banorët e Baks-Rrjollit në Velipojë vijojnë sot protestën e tyre, duke kundërshtuar me forcë zbatimin e projektit për ndërtimin e një resorti turistik në pronat e tyre.

Më 6 shkurt, banorët ndaluan me forcë punonjësit e kompanisë të vazhdonin punimet, ndërsa përplasjet vazhduan edhe të shtunën, kur policia shoqëroi në komisariat disa prej banorëve.

Pronarët legjitimë të tokave bëjnë të ditur se nuk do të tërhiqen nga protestat derisa projekti të pezullohet plotësisht.

Leja e ndërtimit të resortit turistik në Baks-Rrjoll është firmosur nga Belinda Balluku, ndërsa hetimet vijojnë, edhe pse çështja është në proces gjyqësor.

Banorët kërkojnë takim me investitorin Bashkim Ulaj, ndërsa kushti i tyre është pezullimi i punimeve deri në gjetjen e një dakordësie.

Mes atyre që po u merret prona janë edhe qytetarë nga Kosova, të cilët deklaruan se 25 vjet më parë kanë blerë tokë në këtë zonë.

Kujtojmë se Bashkim Ulaj është edhe përfituesi më i madh i pasurive dhe parave publike, mbi 3 miliardë euro, dhe është pjesë e komunikimeve komprometuese mes Belinda Ballukut dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, ku del në pah mekanizmi i ndarjes së tenderave si llokma dhe pazar për Bashkim Ulajn.

Banorët e Baks-Rrjollit paralajmërojnë se do të protestojnë përpara Prokurorisë së Shkodrës dhe kanë theksuar se revolta e tyre do të ashpërsohet. Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Shkodra, gazetari Denis Bajraktari raporton mbi zhvillimin e protestave.

Në një deklaratë për mediat, qytetarët u shprehën se: “Katër breza, babë, gjysh, katragjysh, që jemi, na i solli këtu. Me thënë urdhna, zotni, këtu më ka lënë gjyshi, këtu më ka lënë baba, këtu kam blerë vetë, këtu kam pasur stërnipat. I bëjmë thirrje edhe njëherë shtetit shqiptar, me një pikë pështymë, të nxjerrë ekzaktesisht se ku mund të ketë linjë ndonjë dhe çfarë trashëgimtari ka pasur ai aty. Po ku ka pasur, le të shkruhet tërësisht, siç po e shihni vetë ç’po bën dynjaja. Ne i bëjmë një thirrje popullit dhe të gjithë institucioneve shtetërore që ta vënë dorën në zemër, mos ta lëshojnë këtë popull në gjakderdhje. E keni parë edhe ju çfarë po bën policia tani dy ditë. Ne po rrimë më shumë në polici sesa te tokat tona. I bëjmë thirrje shtetit të na japë një rrugëzgjidhje, i bëjmë thirrje kësaj gjykate të na japë një rrugëzgjidhje. Ju falenderoj të gjithëve dhe me respekt.”

Një tjetër banore, Elena Pjeshka, është shprehur për Syri TV se kjo që po ndodh është një padrejtësi.

Ajo thekson: "Axhat e mi, babai im, gjyshi im janë gjallë. Duam drejtësi! Ju lutem shumë. Kemi ardhur prej Anglisë. Kam qenë sa kjo vajza kur kam çuar babain tim atje duke parë tokat tona, dhe sot nuk na lënë të ulem atje poshtë. Duam drejtësi! Është e drejta jonë. Sot kemi ardhur prej Anglisë, jemi gjallë, e kemi marrë edhe shi, edhe borë, edhe stuhi këtu. Dhe duam gjakun tonë! Nuk na ndalon asgjë. Nuk kemi ardhur vetëm për 15 gusht për të bërë pushime dhe për të thënë që jemi shqiptarë. Ju lutem, duam drejtësi! Ajo toka është e jona. Vajza ime është gjallë. Axhat e mi janë duke qarë për tokën e tyre. Babai im ka qenë në tokë, e ka çuar ambulanca. Gjyshi im po e ha jetën nga mërzia. Ka le, babai, gjyshi, stërgjyshi, katër stërgjyshërit kanë lënë atje. Dhe sot na thonë se toka nuk është e jona. Kush është ai? Duam drejtësi! Duam drejtësi! Duam drejtësi! Duam drejtësi! Sot duam përgjigje! Sot! Të më përgjigjet shteti, i bëj thirrje Edi Ramës, policisë...”.


Video