Dy turistë amerikanë janë shpëtuar nga forcat e policisë në Himarë, pasi ishin bllokuar në disa shkëmbinj pranë Gjirit të Filikurit.
Turistët kishin dalë në det me kanoe, por për shkak edhe të motit të keq dhe dallgëve, e gjetën veten të bllokuar pranë disa shkëmbinjve. Duke e patur të pamundur të riktheheshin në breg, ata kanë kërkuar ndihmën e policisë.
“Ditën e sotme, salla operative e Policisë Kufitare Himarë ka marrë njoftim për 2 turistë amerikanë, të cilët ishin duke lundruar me një mjet lundrues kanoe, në vendin e quajtur “Gjiri i Filikurit” dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg, pasi ishin bllokuar në shkëmbinjtë, që gjendeshin në atë zonë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare në Dhërmi, për t’iu ardhur në ndihmë 2 turistëve.
Shërbimet e Policisë i kanë nxjerrë ata në breg, duke i shoqëruar me mjetin e Policisë Kufitare, dhe aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore. Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë Kufitare, për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar gjatë ofrimit të ndihmës”, bën me dije policia e Vlorës.