
Gjykata Kushtetuese shpalli këtë të mërkurë vendimin për çështjen e ish-Presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili kishte kërkuar shfuqizimin e vendimeve të tre gjykatave të tjera lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Meta kishte kundërshtuar gjithashtu mënyrën e ekzekutimit të kësaj mase.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, ky pretendim ishte paraqitur edhe në instancat e tjera gjyqësore. Gjykata vëren se Meta ka bërë kallëzim për veprime të dyshuara arbitrare në Prokurorinë e Tiranës dhe se kjo çështje është aktualisht nën hetim. Për këtë arsye, me shumicë votash, Gjykata vendosi të mos e marrë në shqyrtim këtë pjesë të kërkesës, pasi gjykatat e tjera nuk janë shprehur ende.
Sa i përket masës së sigurisë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin, po me shumicë votash, se ajo është vendosur për një qëllim të ligjshëm dhe nuk është joproporcionale.
Në përfundim, Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së Ilir Metës.
Ky i fundit ka reaguar në Facebook sa i takon këtij vendimi.
“Asnjë surprizë nga Gjykata e Lanës! Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim, vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo Gjykata nuk di të zhgënjejë. Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 Mars 2020 kur këta betoheshin te Lana. Por se paku të kenë fare pak dinjitet dhe të mos vonojnë zbardhjen e vendimit të tyre.
Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën, që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji”, shkruan Meta.
Më 27 prill, Gjykata e Posaçme do të mbajë seancën e parë të gjykimit për Metën, ish-deputeten Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurit e të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje. Ata akuzohen nga SPAK se janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.