Pas minutave dramatike sot në Kuçovë, ku punonjësja e pastrimit të qytetit, e pushuar nga puna pse kërkoi rrogën e vonuar prej dy muajsh, tentoi të flijohej duke u hedhur nga një kullë e lartë e oksigjenit te ish-Uzina, ajo ka zbritur, duke u shmangur edhe tragjedia.
Pas negociatave me policinë vendore dhe atë bashkiake, që i premtuan se do te rikthehet në punë, ajo ka pranuar të zbresë dhe u shoqërua më tej nga efektivët për marrje në pyetje dhe procedurat standarde.
“Më hoqi pse kërkova rrogën. Kishim dy muaj e gjysmë. Tani nuk e di. Do shkojmë në bashki te kryetari”, shprehet ajo pak pasi zbriti nga kulla.
Elona Bregu, 40 vjeçe, e pushuar edhe nga puna, ka hipur sot në mënyrë demonstrative në majë të kullës së oksigjenit tek ish-Uzina e Kuçovës, duke tentuar të hidhet e t’i japë fund jetës.
Punonjëset e tjera të shkarkuara gjithashtu, treguan edhe arsyet e kësaj proteste të pazakontë.