Policia ka finalizuar sot operacionin e koduar “Hold on”, duke goditur një call center ku dyshohet se kryhej veprimtari mashtrimi kompjuterik në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Gjatë ndërhyrjes, u arrestuan në flagrancë 4 persona, të cilët dyshohet se ishin organizatorë dhe drejtues të aktivitetit. Ata janë: Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Eljo Dyrmishi dhe Marjo Myftari.
Gjithashtu, në ambientet e call center-it u kapën në punë 49 punonjës, ndaj të cilëve nisi procedimi penal në gjendje të lirë.
Policia sekuestroi 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe 107 pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për mashtrime kompjuterike, si dhe materiale të ndryshme me interes për hetimin.
Njoftimi i plotë:
Zbulohet një call center në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku kryhej mashtrim kompjuterik.
Arrestohen në flagrancë 4 organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie.
Procedohen penalisht 49 punonjës, të cilët që u kapën në flagrancë, në këtë ambient.
Sekuestrohen 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, se kati i dytë i një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta”, ishte call center ku kryhej mashtrim kompjuterik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Hold on”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve.
Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.