Marenglen Kasmi vjen në panairin e librit me një botim të ri për princ Wied-in

17 Nëntor 2023, 10:52Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kopertina e librit

Në morinë e botimeve të paraqitura në panairin e këtij viti bie në sy edhe një botim i ri me titull “Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria, mars-shtator 1914”, me autor historianin Marenglen Kasmi.

Princ Wied-i vazhdon të mbetet ende një figurë enigmatike në historiografinë shqiptare dhe atë botërore. Në tekstet e historisë gjatë periudhës 1944-1990 ai përmendej shumë shkurt, për të mos thënë pothuajse fare. Qeverisja e tij gjashtë mujore e Shqipërisë në vitin 1914, sipas vendimeve të marra në Konferencën e Londrës, pasqyrohej si një padrejtësi që i ishte bërë Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha asokohe. Pas viteve 1990, Wied-i u bë më i njohur për lexuesin shqiptar, kryesisht nga kujtimet e shkruara nga ndihmësit e tij të huaj.

Libri i sapo botuar i prof. Kasmit e plotëson këtë dimension. Libri fillon me një studim shterues, ku sillen fakte të reja nga arkivat dhe literatura gjermane jo vetëm për Wied-in si person, por edhe për periudhën e qëndrimit të tij në Shqipëri. Në të trajtohen arsyet e zgjedhjes së Wied-it si sundimtar i Shqipërisë, marrëdhëniet e tij me Esat pashën, kryengritjen e Shqipërisë së Mesme, shkaqet e dështimit të qeverisjes së Wied-it në Shqipëri e deri te problemet e Wied-it me drejtësinë pas Luftës së Parë Botërore etj.

Në kreun e dytë, që është edhe pjesa më e rëndësishme e këtij botimi, jepen disa dhjetëra artikuj të shtypit gjerman të kohës, të cilat prof. Kasmi i ka nxjerrë nga arkivi federal gjerman në Berlin-Lichterfelde. Bëhet fjalë për dy dosje voluminoze, me qindra artikuj të shtypit gjerman të kohës, ku flitet veç për Shqipërinë në vitet 1913-1915. Madje, arkivistët, gjatë përpunimit të dokumentacionit – sipas shkrimit duhet që përpunimi të jetë bërë diku rreth viteve 1920 – ishin kujdesur t’i radhisnin artikujt kronologjikisht, ditë pas dite.

Gazetarët gjermanë shkruanin nga Durrësi e Vlora për situatën në Shqipëri në vitet 1913 – 1914, kur shqiptarët ishin në pritje të princit Wilhelm zu Wied, që Fuqitë e Mëdha u kishin caktuar në krye të shtetit të tyre të ri. Kjo ngjarje ishte mjaft intriguese për lexuesit gjermanë. Një princ gjerman, ndonëse paksa i rënë nga vakti, po dërgohej si sundimtar në një vend krejt të padëgjuar, si Shqipëria. Kështu që, të gjitha gazetat gjermane u kujdesën t’i dërgonin gazetarët e tyre në këtë vend të panjohur e të pazhvilluar. Nga ana tjetër, njoftimet që vinin prej Shqipërisë ishin të rëndësishme edhe për politikën gjermane të kohës. Nuk duhet harruar që jemi në një periudhë ku shtypi orientonte ende politikëbërjen, paçka se është e vështirë të vlerësohet masa e ndikimit të tij në këtë proces.

Vlera historike e këtij dokumentacioni është shumë e madhe. Në të gjenden vlerësime të situatës së përgjithshme të Shqipërisë, pas Shpalljes së Pavarësisë, problemet politike, ekonomike, sociale e kulturore që ka vendi, raportet e tij me vendet fqinje. Më tej, në to raportohet në kohë reale mbi ngjarje të rëndësishme duke u pasqyruar këndvështrimi i personazheve historike, si Ismail Qemali, Esat pashë Toptani, Turhan pasha etj. Sigurisht që në qendër të vëmendjes qëndronte princ Wied-i.

Deri tani, si dokumentacion të kësaj natyre për historinë e Shqipërisë në fillimshekullin XX kemi njohur vetëm Korrespondencën Shqiptare të Leo Freundlich, e përgatitur për botim në vitin 2012 në gjuhën gjermane nga studiuesi i ndjerë, Robert Elsie.

Krahasuar me Korrespondecën Shqiptare që, sikurse thamë, bazohet kryesisht në shtypin austro-hungarez, por edhe në burime të tjera që Leo Freundlich nuk i përmend, shtypi gjerman jo vetëm që e plotëson dokumentimin e kësaj periudhe, por vjen në një formë edhe më të plotë. Ai mbulon me njoftime një periudhë kohore plot dyvjeçare, nëntor 1913 – nëntor 1915, ndërkohë që Korrespondenca Shqiptare ka pasqyruar një periudhë prej diçka më shumë se një vit, korrik 1913 – gusht 1914. Po ashtu, duhet theksuar se, meqenëse qeveria gjermane nuk kishte interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, shtypi gjerman ishte në gjendje të vepronte më i pavarur, e të shkruante më i pandikuar, çka ndoshta nuk mund të thuhet për shtypin austro-hungarez apo edhe atë italian, duke ditur interesat e këtyre vendeve në Shqipëri e më gjerë në Ballkan. Nëse i krahasojmë të dyja burimet tona, vihet re lehtësisht që, ndërsa Korrespondenca Shqiptare fokusohet kryesisht vetëm në përshkrimin e ngjarjeve, shtypi gjerman i kushton një rëndësi të veçantë edhe analizës së tyre.

Në parathënien e librit, autori thekson se “mund të themi pa hezitim që këto shkrime të shtypit gjerman të kohës përbëjnë dokumentimin më të plotë për historinë e Shqipërisë në vitet 1913 – 1915. Sigurisht që në këto shkrime nuk bëhet fjalë për studime shkencore, por për një gazetari serioze, e cila kujdeset të bëjë analiza sa më të qëndrueshme e realiste. Për të vërtetuar besueshmërinë e këtyre informacioneve, duke iu referuar ngjarjeve kryesore të ndodhura në këtë periudhë, si arrestimi i Esat pashës nga princ Wied-i, kryengritja e Shqipërisë së Mesme etj., i kemi krahasuar ato edhe me burimet arkivore të Arkivit Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin [Politisches Archiv des Auswärtigen Amts]. Përputhshmëria e informacionit është mjaft e madhe”.
Risjellja e refleksioneve të princ Wied-it për Shqipërinë, në kreun e katërt të këtij botimi, e ndihmon lexuesin të krijojë një tablo më të plotë historike për këtë periudhë. Me këto refleksione, lexuesi shqiptar është njohur edhe më parë, por kryesisht me përkthime nga gjuha angleze. E veçanta e këtij botimi është se i sjell ato për herë të parë të plota dhe të përkthyera nga origjinali në gjuhën gjermane, shtypur nga një manuskript.

Në kapitullin e fundit, botohen për herë të parë në gjuhën shqipe kujtimet e sekretarit të dytë në shërbimin diplomatik gjerman, Rudolf Nadolny. Më 29 prill 1914, Ministria e Jashtme gjermane vendosi hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në formën e një Agjencie Diplomatike pranë qeverisë së princ Wied-it. Meqenëse ende nuk dihej nëse Wied-i dhe qeveria e tij do të qëndronin përfundimisht në Durrës, emërtimi i plotë i kësaj përfaqësie jetëshkurtër ishte

“Agjencia diplomatike dhe Konsullata e Përgjithshme për Shqipërinë”. Agjencia e filloi menjëherë aktivitetin e saj dhe provizorisht ajo u drejtua nga Nadolny. Kur Wied-i mbërriti në Shqipëri, Nadolny ishte i vetmi përfaqësues i shërbimit diplomatik gjerman që ndodhej pranë tij. Kujtimet e Nadolny-t hedhin një dritë mjaft interesante mbi ngjarjet e ndodhura. Më tej, autori shkruan se “krahasimi që u kemi bërë kujtimeve të tij me raportet zyrtare që ai dërgonte nga Durrësi në Berlin përgjatë vitit 1914, dokumentacion që gjendet në Arkivin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin, i klasifikojnë ato pa hezitim si një burim i vlefshëm dhe i besueshëm historik”.

Përfundimisht, mund të themi pa hezitim se me këtë botim, prof. Kasmi ka dhënë një kontribut të madh në ndriçimin historik të kësaj periudhe të rëndësishme të shtetit shqiptar, duke e afruar lexuesin një hap më pranë së vërtetës historike.

 

Video