"Malësorët e mbrojnë tokën me gjak", banorët e Rrjollit përplasen me policinë!

19 March 2026, 12:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Malësorët e mbrojnë tokën me gjak", banorët
Tensione të ashpra në Baks-Rrjoll

Banorët e Rrjollit kanë vijuar protestën e tyre kundër ndërtimit të resortit të oligarkut Bashkim Ulaj, duke u përballur edhe sot me forcat e policisë pranë kantierit të punimeve.

Protestuesit tentuan të afrohen drejt zonës së ndërtimit, por u ndaluan nga policia. Ata shprehen se toka u përket atyre dhe kundërshtojnë çdo ndërhyrje që synon t’ua marrë pronën.

"Është toka jonë, s'lejojmë të na e marrin. Malësorët e mbrojnë tokën me gjak", deklaruan banorët, të cilët i kërkuan gjithashtu Fatmir Shpellzajt të paraqesë dokumentacionin, nëse pretendon pronësinë.

Gjatë përplasjes, disa prej banorëve janë shoqëruar në polici. Sipas tyre, gjatë ndërhyrjes janë përdorur edhe fyerje nga efektivët e policisë.

Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, oligarku Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit pasi mori lejen e ndërtimit.

Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë.

Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik.


Video