Llixhat si burime energjie, studimi: Shqipëria ka kapacitete potenciale

5 July 2023, 12:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Llixhat si burime energjie, studimi: Shqipëria ka kapacitete potenciale
Foto ilustruese

Shqipëria ka potencial të konsiderueshëm për prodhimin e energjisë elektrike gjeotermale. Në një studim të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën publikuar në qershor të këtij viti, ekspertët kanë veçuar disa rajone të mëdha gjeotermale, të cilat mund të shfrytëzohen për të ofruar energji për serrat, për akuakulturë, apo edhe nxjerrjen e kripërave minerale.

Studimi identifikon se në zonën e Krujës janë shtatë grupe burimesh gjeotermale. Temperaturat e puseve në zonën Tiranë-Elbasan variojnë nga 60 – 65.5°C.  Në zonën gjeotermale të Ardenicës janë shpuar të paktën gjashtë puse, ku kryqëzohen struktura të ndryshme. Në sipërfaqe, ato  shkarkojnë ujëra në temperatura 32-67°C.

Në zonën gjeotermale të Peshkopisë, uji me temperaturë 43,5°C rrjedh nga një grup burimesh termale në një shpat lumi. Duke pasur parasysh karakteristikat e burimeve gjeotermale në Shqipëri, janë propozuar modele për zhvillimin e sistemit të ngrohjes qendrore. Në dokument thuhet se për të avancuar më tej përdorimin e burimeve gjeotermale në Shqipëri, mund të bëhen përpjekje për të përmirësuar kapacitetin, transferimin e teknologjisë dhe përhapjen e njohurive.

Aktualisht burimet gjeotermale të prodhimit të energjisë elektrike janë pak të përhapura në botë. Modeli më i suksesshëm është Islanda, që prodhon gati 30 për qind të energjisë totale të saj përmes burimeve gjeotermale.


Video