Përplasja për pagat, Rama fton në takim krerët e drejtësisë

21 September 2026, 11:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Përplasja për pagat, Rama fton në takim krerët e
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka ftuar institucionet e sistemit të drejtësisë në një tryezë të përbashkët konsultimi për çështjen e pagave të magjistratëve.

Ftesa ka shkuar për të gjitha institucionet e drejtësisë dhe takimi do të zhvillohet më 28 shtator, në orën 12:30, në Kryeministri.

Sipas kreut të qeverisë kjo ftesë synon të shërbejë si pikënisje e një procesi konsultimi dhe dialogu ndërinstitucional për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë.

Në ftesën drejtuar institucioneve theksohet se diskutimi do të fokusohet te parimet, kriteret dhe instrumentet që duhet të udhëheqin politikën e pagave, duke pasur në konsideratë qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale dhe proporcionalitetin mes funksioneve dhe përgjegjësive.

“Synimi është diskutimi i përbashkët i parimeve dhe elementeve mbi të cilat mund të ndërtohet një mekanizëm i qëndrueshëm, koherent dhe i parashikueshëm për përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë, sipas standardeve evropiane”, thuhet në letër.

Sipas ftesës, konsultimi nuk do të kufizohet vetëm te niveli aktual i pagave, por synon të përcaktojë një mekanizëm të qëndrueshëm për përcaktimin dhe rishikimin periodik të tyre.

Qeveria kërkon që ky mekanizëm të mbështetet në rregulla të qarta dhe objektive, duke synuar një qasje të përbashkët mes institucioneve.

Në dokument theksohet gjithashtu se procesi synon të kontribuojë në pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë, ndërsa njëkohësisht të garantojë qëndrueshmërinë financiare të shtetit.

Pak ditë më parë Kuvendi ka miratuar një formulë të re për pagën referuese, duke e çuar koeficientin nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit, ndërsa kjo formulë është kundërshtuar nga disa institucione të drejtësisë. 

Ftesa u është dërguar:

Këshillit të Lartë Gjyqësor

Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Gjykatës së Lartë

Prokurorisë së Përgjithshme

Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Gjykatës Administrative të Apelit

Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë

Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm

Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm

Forumit të Grave Gjyqtare Shqiptare

Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë

Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë

Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë


Video