Banorët e lagjes ‘5 Maji’ kanë depozituar në SPAK një kallëzim penal pasi kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre. Prej disa ditësh ato po bëjnë rezistencë dhe pavarësisht se kanë pasur edhe një takim me kryeministrin Edi Rama ende nuk janë të bindur për një zgjidhje. Banesat e këtyre banorëve preken nga projekti për rindërtimin pas tërmetit si dhe rikualifikimit urban.
Banorët kanë protestuar vazhdimisht para Kuvendit ndërsa kërkojnë garanci e kontrata për marrjen e shtëpive të reja ashtu siç është deklaruar nga autoritetet.
Ato shprehen se nuk kanë firmosur asnjë kontratë me bashkinë, dhe e cilësojnë atë si të njëanshme dhe jo transparente. Përmes avokates Adriana Kalaja, banorët kërkuan që SPAK të bëjë sekuestron preventive dhe të ndalë aksionin për shembjen e banesave deri në sqarimin e planit.