Një shqiptar u ekzekutua brenda makinës së tij me armë zjarri në qytetin Guajakil të Ekuadorit. Mediat vendase shkruajnë se viktima është identifikuar si Arjanit Rizaj, 53 vjeç.
Ai është qëlluar përpara spitalit “Luis Vernaza”, ku kishte shoqëruar bashkëshorten e tij e cila po vizitonte babanë e sëmurë.
Vetë shqiptari po qëndronte brenda automjetit të tij të parkuar në oborrin e spitalit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 me orën lokale. Sipas mediave ekuadoriane, autorët kanë qenë dy persona që lëviznin me një motoçikletë të bardhë. Njëri prej tyre qëlloi nëntë herë dhe më pas u larguan në drejtim të paditur. Bashkëshortja e 53-vjeçarit shqiptar ka deklaruar për hetuesit se ajo e pa të gjithë skenën nga shumë pranë.
Siç duket edhe nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale, kalimtarët e rastit janë munduar t’i japin ndihmë, por shqiptari nuk ka mundur të mbijetojë.
“Po i rrjedh gjak. Po vdes! Kujdesu për të! Thirrni policinë!” – dëgjohen të bërtasin disa persona.
Guayaquil , se confirma que el ciudadano que murió tras ser víctima de sicarios en los exteriores del hospital Luis Vernaza era de nacionalidad Albanesa .. pic.twitter.com/hRUxuwN372
— Noticias Virales (@NotiViralesEc) November 10, 2023
Sipas mediave ekuadoriane, shqiptari ka marrë 9 plumba nga një armë zjarri e kalibrit 9 milimetra. Shumica të pranishmëve që kanë parë ngjarjen tragjike janë larguar të tmerruar.
Disa të tjerë i janë afruar viktimës dhe kanë tentuar ta ndihmojnë. E kanë zbritur nga makina dhe e kanë çuar në derën e urgjencës dhe më pas e kanë transferuar në një shtëpi të kujdesit ku vdiq ku 53-vjeçari ndërroi jetë pas pranimit.
Bashkëshortja e viktimës u tha hetuesve se ai nuk punonte, pasi nuk ishte i legalizuar në Ekuador. Sipas saj, ai ndihmohej me para nga Shqipëria ose nga një vëlla që kishte me banim në Kanada. Ajo tha se nuk e kishte idenë për arsyet e vrasjes.
Vrasja ndodhi në të njëjtën ditë kur u arrestua Dritan Rexhepi, kreu i kompanisë “Bello”. Me një histori të gjatë në Ekuador, ai u arrestua nga policia turke në një kompleks rezidencial në Stamboll.