Kreu i ri i SPAK me gotë plastike me vete në çantë, çfarë nuk u pa në mbledhje

11 Dhjetor 2025, 18:25Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Braho me gotë plastike me vete në çantë

Klodian Braho është tashmë kreu i ri i SPAK, duke marrë kështu një detyrë shumë të rëndësishme për drejtësinë.

Por një moment pikant tërhoqi vëmendje përpara se ai të merrte fjalën gjatë mbledhjes së KLP-së, nga ku u zgjodh drejtues i SPAK.

Teksa po përgatitej për t’u intervistuar nga KLP-ja, Braho nxori nga çanta e tij e punës një gotë të vogël plastike për të pirë ujë dhe më pas dokumentet e nevojshme për prezantimin e platformës.

Nuk dihet arsyeja përse Braho zgjodhi të merrte gotë plastike me vete, por mund të hamendësohet për çështje sigurie ose thjesht pastërtie.

Gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Braho shpalli si prioritet të punës së tij konsolidimin në mënyrë të pakthyeshme të Prokurorisë së Posaçme.

“Sfida më e madhe është që institucioni i SPAK të maturohet dhe të kalojë atë pikën e pakthyeshme. Mos të ketë më rëndësi se kush shkon prokuror apo zëvendësues, por të ketë standarde,” tha Braho.

Braho është drejtuesi i tretë i Prokurorisë së Posaçme që prej themelimit, duke pasuar në këtë detyrë prokurorët Arben Kraja dhe Altin Dumani. Përgjatë tre viteve të fundit, Prokuroria e Posaçme ka ndihmuar në rikthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur përgjegjës disa nga zyrtarët më të lartë publikë – nga ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Ilir Meta dhe deri te zv.kryeministrja në detyrë, Belinda Balluku.

 


Video