“Korrupsioni sfidë në çdo të botës”, Rama: Çfarë po përgatisim për tenderat

13 June 2022, 18:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Korrupsioni sfidë në çdo të botës”,
Edi Rama

Në konferencën e parë Kombëtare të Anti-Korrupsionit, kryeministri Edi Rama është shprehur se korrupsioni është një sfidë e vazhdueshme e cila në asnjë vend të botës nuk mbaron.

Sipas Ramës, gjatë mandateve të qeverisë së tij, ka ndryshuar marrëdhënia e shtetit me qytetarët. Ai mori shembull disa raste, duke nisur nga studentët, mësuesit, infermierët, policët etj. Sipas Ramës, deri para pak vitesh ata zgjidheshin në bazë të parave, lidhjeve politike apo lidhjeve farefisnore. Megjithatë, me futjen e sistemeve dixhitale kjo gjë ka ndryshuar.

Rama shtoi se “ka ende pjesë të sistemit që vijojnë të funksionojnë si më parë. Është një problem që duhet të përpiqemi që ta zgjidhim”.

Kryeministri Rama foli edhe për tenderat. Ai u shpreh se po qeveria po përgatit një fazë tjetër për të çliruar administratën nga pesha e kontraktimit të fondeve publike përmes tenderave.

“Dua të theksoj pjesën që ka të bëjë me tenderat. Është një transformim i paimagjinueshëm nëse nisemi nga ku ka filluar kjo punë. Në raportin që kemi përgatitur i cili është raport faktik që nuk ka subjektivitet flitet qartë si kemi lëvizur në drejtimin e duhur në këtë aspekt. Por edhe këtu kemi prapë probleme. Po përgatisim një fazë tjetër për të çliruar administratën nga pesha e madhe e këtij procesi. E procesit të kontraktimit të fondeve publike përmes tenderave, për të përfshirë ekspertizën e jashtme dhe pse jo edhe kompani ndërkombëtare, në mënyrë që administrata të bëjë administratën, ministritë të bëjnë ministritë dhe procesin e tenderimit ta bëjnë struktura që kanë një pavarësi shumë më të madhe dhe profesionalizëm shumë më të madhe. Një nga problemet tona nuk është thjesht korrupsioni, apo përzierja me qëllimin e devijimit të ligjit, por është edhe paaftësia. Në këtë aspekt, kemi vërtetë shumë punë për të bërë”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se pothuajse askush nuk e mendonte pak vite më parë se drejtësia do të ndëshkonte figura politike të rangut më të lartë dhe se do të vinte dita që askush më nuk do të ndjehej i paprekshëm.

“Për reformimin e drejtësisë do të thosha diçka që ma ha mendja se biem dakord që të gjithë pavarësisht bindjeve që mund të kemi, pavarësisht simpative që mund të kemi në aspektin politik: Kush e mendonte deri pak vite më parë se në këtë vend do të ndëshkoheshin nga drejtësia figura politike të rangut më të lartë, se do të vinte dita vetëm pak vite më pas që askush më nuk do të ndjehej i paprekshëm dhe që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur, deputetë do të merreshin nën hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar nga misioni i saj për të bërë drejtësi. Nuk besoj se dikush në këtë sallë do t’i përgjigjej pozitivisht kësaj pyetjeje se a beson që pas pak vitesh do të ndodhte kështu dhe jo anëtarë qeverie, deputetë të opozitës, por të partisë në pushtet. Ne kemi pasur dikur anëtarë qeverie që pushkatoheshin. Nuk ka pasur Shqipëria drejtësi të drejtë apo të pavarur nga pushteti i politikës në asnjë prej momenteve të qeverisjes së saj, as në periudhën para reformës në drejtësi. Ky është një fakt inkurajues. Ky është një proces që ka uljet dhe ngritjet e veta, që ka rëniet dhe zhgënjimet e veta. Është procesi i duhur në drejtimin e duhur”, tha Rama.

 


Video