Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, deklaroi sot se niveli i riskut sa i takon veprave penale në fushën e korrupsionit është i lartë.
Në raportimin e tij para Komisionit të Ligjeve, Dumani tha se veprat me rrezikshmëri më të lartë rezultojnë pastrimi i produkteve të veprës penale dhe shkelja e barazisë në tendera.
Ai shtoi gjithashtu se korrupsioni i funksionarëve publikë ruan trend të lartë, duke dëshmuar për zgjerim të praktikave korruptive në administratën publike.
“Niveli i riskut sa i takon të dhënave në veprat penale në fushën e korrupsionit tregon një nivel të lartë dhe të qëndrueshëm rreziku, deri në zgjerim në disa kategori krimesh dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në qeverisjen publike, integritetin institucional dhe ekonominë kombëtare. Veprat me rrezikshmëri më të lartë rezultojnë pastrimi i produkteve të veprës penale dhe shkelja e barazisë në tendera, të cilat shfaqin rritje të fortë në vitet 2023-2024, duke reflektuar keqpërdorim të vazhdueshëm të fondeve publike dhe përfshirje të subjekteve fiktive tregtare në skema klienteliste”.
Sipas tij, veprat e korrupsionit në nivele të larta të pushtetit dhe drejtësisë mbeten krime me rrezik të lartë strategjik, pasi cenojnë besimin publik te shteti dhe sundimi i ligjit.
“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ruan trend të lartë, të qëndrueshëm, duke dëshmuar përhapje të praktikave korruptive në administratën publike. Ndërkohë, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm mbetet një formë tipike e ndërhyrjes në vendimmarrjen publike dhe proceset administrative, duke ruajtur një nivel mesatar rreziku. Veprat e korrupsionit në nivele të larta të pushtetit dhe drejtësisë, përfshirë korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror dhe korrupsionin aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë, megjithëse paraqesin një ulje relative në vitin 2024, mbeten krime me rrezik të lartë strategjik, pasi cenojnë besimin publik te shteti dhe sundimi i ligjit”.
“Në tërësi, panorama e nivelit të riskut të korrupsionit përbën kërcënim të vazhdueshëm për integritetin e administrimit publik, konkurrencën e ndershme ekonomike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, duke kërkuar trajtimin e tij si prioritet kombëtar në politikën penale dhe hetimore”, u shpreh kreu i SPAK.