Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka dhënë disa detaje mbi fenomenin "Forca Tirona" në rrjetet sociale.
Sipas tij, bëhet fjalë për një grup në rrjetet sociale ku shoferët njoftojnë njëri tjetrin për prezencën e policëve në rrugë.
Karamuço shkruan në postimin e tij se ky fenomen ka kohë që diskutohet në radhët e prokurorëve dhe oficerë të policisë nëse përmban apo jo ndonjë shkelje ligjore. Ai thotë se ligji detyron organet e policisë të paralajmërojnë shoferët për akset që monitorohen me radar.
Reagimi i plotë:
Ka kohë që diskutohet në radhët e prokurorëve dhe oficerë të policisë nëse fenomeni i ri ” Forca Tirona” përmban apo jo ndonjë shkelje ligjore. Ky është një grupim në rrjetet sociale, ku anëtarët lajmërojnë njëri tjetrin për vendndodhjen e policisë rrugore, me qëllim shmangien e gjobave. Argumentet janë të ndryshme, por përfundimi është se nuk ka asnjë shkelje që ti penalizojë. Përdoruesit e rrugës janë shpesh solidar me njëri tjetrin. Ata shkëmbehen duke sinjalizuar me drita për të lajmëruar praninë e policisë në rrugë. Nga ana tjetër ligji detyron organet e policisë të paralajmërojnë shoferët për akset që monitorohen me radar. Meraku i vetëm është që grupime të tilla nuk duhet të nxisin shpejtësi dhe papërgjegjshmëri rrugore, përtej zonave ku ka monitorim policor. Një gjobë edhe mund ta shmangësh, por aksidentin jo…..