Jorgo Goro mbetet pas hekurave, edhe 6 muaj të tjerë në burg

5 Maj 2026, 18:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jorgo Goro

Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion ka rrëzuar sot kërkesën e Jorgo Goros për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit penal ndaj tij.

Kërkesa e ish-kryebashkiakut të Himarës ishte paraqitur më 31 mars 2026 dhe kishte si objekt pezullimin e vendimit të 30 korrikut 2025.

Por në përfundim të shqyrtimit, trupi gjykues vendosi ta konsiderojë atë të pabazuar në prova dhe në ligj. Kështu, Goro do të vijojë të qëndrojë në qeli për të shlyer edhe 6 muaj të mbetur nga dënimi me heqje lirie.

Ish-kryebashkiaku u kthye në qeli më 31 mars të këtij viti, pas një vendimi të formës së prerë nga Apeli i Posaçëm i GJKKO-së, i cili konfirmoi dënimin me 2 vite burg, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u reduktua në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.

SPAK kërkoi më 31 mars rikthimin e kryebashkiakut të Himarës në burg, pasi sipas përllogaritjeve të bëra, duke marrë në konsideratë kohën e kaluar në paraburgim, atij i mbeten edhe 6 muaj e 10 ditë në qeli.

Goro u vu në pranga më 23 mars 2024, teksa gjatë hetimit dhe gjykimit në Gjykatën e Posaçme kërkoi vazhdimisht pafajësinë.


Video