Ish-prokurori i “HEKURT” Anton Martini emërohet drejtor i Hetimit në ‘Tatime’!

22 October 2024, 10:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-prokurori i “HEKURT” Anton Martini emërohet drejtor i
Anton Martini

Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve Ilir Binaj prezantoi sot Anton Martinin në pozicionin e drejtorit të ri të Hetimit Tatimor.

Binaj bëri të ditur se falë përvojës dhe reputacionit në fushën e drejtësisë, Martini do të udhëheqë një nga strukturat më të rëndësishme në përpjekjen e administratës tatimore kundër evazionit fiskal.

Anton Martini vjen nga një përvojë e gjatë në fushën e hetimit duke reflektuar integritet të lartë profesional.

Ai pritet të drejtojë me sukses dhe efikasitet Drejtorinë e Hetimit, si struktura pararojë në përpjekjet për të siguruar zbatimin e ligjeve tatimore.

Profili i ish-prokurorit të "hekurt", Anton Martini:

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004.

Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi.

Në qershor 2018, Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Përplasja me bandat:

Anton Martini nga Tropoja, njihet si prokurori që përmes një dëshmitari të mbrojtur, siç ishte Adriatik Coli zbërtheu një nga bandat kriminale më potente në vend.

Ai përfaqësoi akuzën e shtetit në gjykatë kundër bandës së Durrësit, ku edhe kërkoi burgim të përjetshëm për kreun e këtij grupi.

I lakuar si prokurori që hetoi bandat, ai u kthye në një histori suksesi atëherë kur goditi Bandën e Cërrikut, hetoi Lazaratin, për disa vite u vu në kërkim të gjurmëve të vogëlushes së zhdukur, Bleona Mata, por pas sukses si edhe kërkoi dënimin kapital të Arben Frrokut.

Ai shpesh është përplasur me ish-shefat e tij, çka i ka kushtuar edhe largimin nga kryeqyteti, siç edhe rasti i transferimit të përkohshëm në Shkodër./VoxNews


Video