Ish-partneri e ekzekutoi në shtëpinë e të atit/ Rrëfehen familjarët e Sabrina Bengajt: Priti plumbat me trupin e saj për të na mbrojtur, ishte heroinë

7 Dhjetor 2022, 21:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sabrina Bengaj

Emisioni “Në shënjestër” trajtoi sot një çështje të rëndësishme që prej vitesh ka qenë problematikë në Shqipëri, dhuna ndaj grave. Madje në vëmendje janë sjellë dhe ngjarje kriminale që kanë përfunduar në vrasjen e grave nga bashkëshortët e tyre, ose ish-bashkëshortë.

Por, ngjarjet dhe situatat kanë treguar që nuk është gjithmonë kështu. Ka edhe baballarë, ata të cilët vrasin bijat e tyre.

Shkrimi i emisionit “Në Shënjestër”

Një ngjarje që bëri shumë bujë në vitin 2003. Se si një baba mundet të vrasë vajzën e tij, vetëm për faktin se ajo nuk e pranonte burrin që ata i kishin gjetur, duke zgjedhur në shenjë revolte të bënte një zgjedhje tjetër.

Që në mos ishte e ndershme, të paktën nuk meritonte ti merrte jetën. Për më tepër nga babai i saj.

Dosja Hetimore

Më datë 3 Korrik 2003 i pandehuri Rruzhdi Qinami është zgjuar si zakonisht herët nga gjumi dhe ka dalë në verandën e shtëpisë. Përpara shtëpisë së tij ai ka parë të ndaluar një autoveturë, nga e cila ka zbritur vajza e tij, Fiqirete Qinami. Dhe më pas autovetura është larguar me shpejtësi. Gjatë kësaj kohe, viktima Fiqirete është drejtuar për të hyrë në shtëpi.

Duke parë këto lëvizje të vajzës në atë orë të mëngjesit rreth orës 05.00,  faktin se vajza e tij ishte e fejuar dhe i fejuari i saj ndodhej në Angli, i pandehuri Rruzhdi Qinami ka filluar të krijojë dyshime për lidhje të vajzës me një person tjetër, dhe ashtu i tronditur rëndë e ka kapur viktimën për krahu dhe e ka futur në dhomën e tij të gjumit. Aty ka marrë një pistoletë, të cilën e mbante pa leje të organeve kompetente dhe ka filluar t’i kërkojë llogari se ku kishte qenë gjithë natën. Viktima ka bërtitur duke i thënë se ju jeni injorant dhe nuk merrni vesh nga jeta. Ky debat ka zgjatur për disa minuta dhe nga këto fjalë e veprime tek i pandehuri ka filluar efekti fizologjik i cili ka ndikuar në psikikën e të pandehurit, duke sjellë një frenim të veprimtarisë intelektuale si dhe një dobësim të aftësive të vetëkontrollit, të marra së bashku, kanë bërë që ai të shkrepte armën që mbante në dorë mbri trupin e vajzës së vet duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas këtij momenti i pandehuri ka bërë veprime të pakontrolluara, duke dalë në verandë e duke qëlluar në ajër, ku më pas kanë ndërhyrë të afërmit dhe i kanë hequr pistoletën nga dora.

Por siç ndodh në të tilla raste me drejtësinë shqiptare, fillimisht babai vrasës, në bashkimin e dënimeve, u dënua me vetëm dy vite burgim.

Kjo për shkak të kushteve të tronditjes psiqike ku kishte ndodhur ngjarja. Ndërkohë që nga pranimi i fajit, Gjykata e Shkallës së Parë, e dënoi përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burgim.  Por ky vendim u ankimua nga prokuroria në Gjykatën e Apelit. Ku organi i akuzës kërkoi 6 vite burgim.

Ku si përfundim, Gjykata e Apelit e dënoi Ruzhdi Qinamin, për vrasjen e vajzës së tij me 5 vite burgim. Nga të cilat, 2 vite ia fali për sjellje shembullore brenda burgut dhe jashtë hekurave të qelisë. Duke e dënuar përfundimisht me 3 vite e 4 muaj heqje lirie. Ku pjesa e pavuajtur prej dy vite burgimi, iu konvertua me kusht për 5 vite.

“Duket si një komunitet burrash që kanë përligjur dhunën dhe madje e kanë filluar  të mbrojnë dhe ‘sojin’ e tyre që kjo dhunë të mos ndëshkohet. Kjo shoqëri që në familjet e tyre dhe ne gjirin e tyre e përligj çdo ditë këtë dhunë si të mirëqënë për të stabilizuar familjen dhe për ta mbajtur në kontroll dhe për të kërkuar të drejtën me forcë ka filluar të mund të jetë prezente dhe në institucione”, thotë Denata Toçe, Psikologe.

Por ndërsa duket se këto histori i përkasin një kohe të shkuar, jashtë realitetit të sotëm ku ndodhet shoqëria shqiptare, e vërteta është e kundërt. Sabrina Bengaj, mund të thuhet se është një tjetër viktimë, këtë herë jo vetëm e ish-bashkëshortit të saj, por edhe e paaftësisë së shtetit për të parandaluar vrasjen e saj.

Ajo u qëllua për vdekje mbrëmjen e 10 shtatorit 2021, në shkallët e banesës së prindërve të saj. Aty ku ishte kthyer prej disa muajsh për ti shpëtuar dhunës së vazhdueshme të bashkëshortit të saj, me të cilin kishte një fëmijë. Por Elton Metaj, nuk u ndal këtu, por e përndoqi të renë deri në frymën e fundit, për ta ekzekutuar në shkallët e banesës së prindërve.

Habibe Bengaj-Gjyshja e Sabrinës

“Vajza ka ikur e rrëmbyer që 14 vjeç, e ka rrëmbyer nga shkolla. Megjithatë e kërkuam që ta sillte që të bëheshin gjërat siç thonë njerëzit, jo ta rrëmbente, nuk e solli. Megjithatë lajmërova djalin që ishte në Itali dhe i tregova situatën. E lamë vajzën atje, thamë meqë duhen. Kaluan mirë 3-4 vjet. Ai e kishte dyshimin se kishte hall mos e mbanim ne. Pas tre-katër viteve shikonim që nuk ishte vajza në terezi. Ajo nuk tregonte ti prisje kokën, dhunohej aq shumë sa mbeti shurdhe nga veshët. Megjithatë erdhi vjehrra duke thënë: burri të rreh, burri kështu, unë kam hequr kështu. Ti duron i thamë, ne nuk durojmë. Na tha vjehrri nëse e nxjerr sot nga dera nuk do e biesh më. E mora Sabrinën në shtëpi se më tha: O do të vi me ty ose do hidhem nga ballkoni”.

Por ndërsa Sabrina kishte vendosur të mos kthehej më në shtëpinë e ish-bashkëshortit, ky i fundit duket se nuk e pranonte dot faktin që ajo refuzonte të mos ishte më prona e tij.

Për këtë arsye ai kishte vuajtur edhe një vit heqje lirie. Pasi më 20 shtator 2020, ai mbajti peng për gati 5 orë, familjen e Sabrinës në banesën e tyre. Me qëllim që kjo e fundit të kthehej pranë tij.

Ku për të liruar pengjet, u desh ndërhyrja e RENEA-s dhe FNSH-s. Por ndërsa pritej që Elton Metaj të dënohej rëndë për pengmarrjen që kreu, ai u lirua nga burgu vetëm një vit më pas. Me arsyetimin se kishte shfaqur çrregullime të shëndetit mendor.

Habibe Bengaj- Gjyshja e Sabrinës

“Dëgjova një zhurmë arme, po vinte e mbytur sepse ishte brenda. Ai kishte ardhur tek dera, kishte hapur derën. Kjo kishte dalë me pjatë në dorë. I ka thënë ç’kërkon ti këtu, pse erdhe. Për ta qetësuar i ka thënë hajde me mua. Sa hedh këmbën vajza te dera, kthehet edhe nga djali madh e bombardon edhe atë me automatik. Kur u shkreh automatiku kam ulëritur lart. Zbrita nga kati i dytë dhe pashë Sabrinën të shtrirë në fund të shkallëve. Ika e kapa te koka, ajo kishte mbaruar”.

Vëllai i Sabrinës, nuk ishte aty në momentin e parë kur ndodhi ngjarja. Ai thotë se e mësoi lajmin gjatë rrugës së kthimit në banesë. Për të, ish-bashkëshorti i Sabrinës ishte dhe u soll si një frikacak edhe për mënyrën se si e kreu krimin.

Armando Bengaj-Vëllai i Sabrinës

“Unë motrën e çova vetë në punë. Ai sa më shikonte mua ose që isha i shoqëruar ndërronte rrugë, nuk përballej dot. Ai e kishte vetëm me gratë. Donte të rrihej dhe të vritej me gratë. Duke iu afruar Fierit më merr në telefon nusja dhe më thotë ka ardhur përsëri ai. Më tha që vrau Sabrinën. Aty ngela i shtangur. Mos thashë dhe duke nxituar bashkë me kushëririn. I thashë mos e ke gabim, mos është plagosur se nuk po e besoja dot, ishte motra ime sigurisht. Erdha e gjeta të shtrirë motrën në shtëpi. Shkova brenda nuk dija kë të mbaja më para”.

Vëllai i Sabrinës, rrëfen ndër të tjera përmes dhimbjes, se Sabrina u bë heroina e familjes së tyre. Pasi ajo në çastin që u qëllua mbuloi me trupin e saj pjesën tjetër të familjes. Për ti shpëtuar ata nga vdekja e sigurt e plumbave që derdhi ndaj tyre ish-bashkëshorti i saj.

Armando Bengaj-Vëllai i Sabrinës

“Sabrina është edhe një heroinë e kësaj shtëpie e cila sakrifikoi jetën e vet për të mbrojtur të gjithë familjen dhe i doli ajo vetë plumbit para. Për ti thënë stop kësaj ngjarje që plumbat të binin vetëm mbi atë”.

Për psikologen Denata Toçe, në të tilla ngjarje është me rëndësi për të krijuar një profil social të personit që dhunon apo vret. Për të parë se cilat janë linjat psikike në të cilat ai ka shkelur në jetën e tij. A ka qenë kjo jetë e realizuar apo jo, apo ka qenë një derivat i dhunës së vazhdueshme. Që ka përcjellë edhe këtë sjellje të dhunshme në vazhdim.

Denata Toçe-Psikologe

“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë në cilin korridor afektiv ka kaluar ky person. Cili është korridori afektiv që e ka përfshirë këtë person, ka ekzistuar apo jo, apo edhe ai ka dalë nga një ambjent po aq i dhunshëm ku çdo gjë pritet pa argument. Pra ku ku çdo gjë pritet të ndodhë me pushtetin e formës autoritetare, pra çdo gjë kërkohet në formë arbitrare, o do të jetë kështu o pikë”.

Gëzim Tushi-Sociolog

“Në vlerësimin e dhunës ndaj grave ka një lidhje të caktuar midis njerëzve që ushtrojnë dhunën dhe rrethanave që ndikojnë në zgjerimin e kësaj dhune. Ka raste kur gratë që dhunohen në familjen e burrit ankohen tek familja bilogjike dhe në mentalitetin shqiptar ato i thonë ‘rri atje me burrin, pranoje dhunën, se burri edhe të rreh, se burri sot do të të rrahë, nesër jo. Në një farë mënyrë gruaja është si një farë instrumenti për të bërë eksperimente meshkujt mbi të”.

Por vajzat dhe gratë nuk rezulton se i vrasin vetëm bashkshortët, baballarët, apo djemtë e familjes. Jetmira Hasani, nuk u qëllua nga asnjëri prej tyre. Por nga ish-kunati i saj. Në oborrin e banesës së përbashkët, ku kishte jetuar për shumë vite në terror dhe dhunë psikologjike.

Në lagjen Bathore, në Kamëz. Ajo u vra pikërisht ditën kur kishte vendosur të linte këtë banesë. Për t’i shpëtuar njëherë e mirë gjithë këtij makthi që kishte përjetuar.

Por nuk ishte kështu për kunatin e saj, Agron Tanushi. I cili ngriti armën dhe qëlloi ndaj saj. Një konflikt që dyshohet se lindi për shkaqe pronësie. Ndërsa bashkëshorti i Jetmira Hasanit, thuhet se kishte vite që e kishte braktisur bashkë me fëmijët dhe vetë jetonte në emigracion.

Naile Hasani-Nëna e Jetmirës

“Takimi i fundit ka qenë një ditë para se të vritej, kam qenë me të, për të marrë rrobat e veta, ajo nuk është shkëputur nga ajo shtëpi, ajo aty ka qëndruar pa dritë, ka qëndruar pa ujë, si përfundim i thashë hajde ikim në shtëpi, por jo se po ma vrisnin, po i thashë hajde ikim pushojmë në shtëpi se çfarë po bën aty. Jam shumë e lodhur më tha, do të pushoj te nusja e vëllait dhe nesër do iki të marrë çfarë më ka ngelur në shtëpi.Këtyre nuk u ka rënë bombë, se ajo nuk ka qenë e larguar nga ajo shtëpi, ajo ka jetuar aty edhe me covid, edhe në errësirë, edhe pa ujë. Ka qenë duke mbledhur rrobat e veta, në shtëpi të vetë në kat të dytë pa iu fut fare brenda kunatit, në bahçe të vetën është vrarë”.

Siç më tej thotë nëna e Jetmira Hasanit, bashkëshorti i saj e kishte braktisur plotësisht të bijën. Ndërkohë që mbi supe i kishte lënë edhe problemet e pronësisë që ai kishte me familjen e tij.

Naile Hasani-Nëna e Jetmirës

“Ajo është divorcuar që në 2016, gjyqet kanë filluar që në 2014 . I ka kërkuar divorc por kjo nuk ia ka dhënë. Ajo merrej me punë shtëpie, ajo ka rritur fëmijën 7 vjet gjyqeve dhe vajzën në krah kudo ku shkonte. Ajo nuk ka pas mbështetje, ato nuk kanë patur punë fare me vajzën time se unë sia kam pas dhënë Agronit, ia kam pa dhënë Urimit. Urimi kishte ikur jashtë shtetit dhe la në luftë gjakun e vet. Janë fituar 4 gjyqe, gjyqi për të mbajtur vajzën, gjyqi në shkallë të parë për të mbajtur shtëpinë. Kur e pa që nuk e merrte me gjyq e hoqi qafe me plumb”.

Video