Policia e Shkodrës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me vrasjen e regjistruar pasditen e kësaj të premte në lagjen Kiras. Sipas autoriteteve, 57-vjeçare Ismet Çekorja ka ndërruar jetë në spital duke mos iu mbijetuar dot plagëve të plumbit.
Policia njofton se vijon hetimet dhe kontrollet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ismet Çekorja pak ditë më parë doli në një intervistë për mediat për të mbrojtur djalin e tij, Bajram Çekorja, i cili është shpallur në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit.
Njoftimi:
Në lagjen “Guerrile”, në Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi I. Ç., 57 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në vendngjarje, për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet, me pika kontrolli në zonën përreth, me qëllim kapjen e autorit/ëve.