Një tjetër arrestim i një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht është realizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 28”.
Gjatë 24 orëve të fundit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht Ilir Zotaj, alias Zio Bushi, një 44-vjeçar nga Tirana, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Zotaj ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Peruxhias në Itali me 5 vjet, 6 muaj e 17 ditë burgim për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Ai dyshohet të ketë qenë pjesë e një organizate kriminale shqiptare që ka organizuar dhe financuar trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, nga Belgjika në Itali, gjatë periudhës 2008-2010.
Në këtë periudhë, janë sekuestruar rreth 10.4 kg kokainë të trafikuara nga kjo organizatë. Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të përfunduar procedurën e ekstradimit të Zotajt në Itali.