Ajola Xoxa: Kurrë nuk kam patur çantë Hermes apo Chanel, mos e provoftë askush këtë mizori juridike dhe mediatike

17 Shkurt 2025, 13:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa

Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa, ka reaguar sot përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale mbi akuzat që janë ngritur nga SPAK ndaj saj dhe mbi aludimet lidhur me shumat e supozuara për blerje online.

Në sqarimin e saj, ajo ka hedhur poshtë si gënjeshtra të pavërteta gjithçka është thënë në media mbi këtë çështje.

Xoxa tha se është vënë në shënjestër të një “gjyqi politik, mediatik dhe në rrjetet sociale”, pa një proces të drejtë ligjor.

Duke sqaruar shifrat, ajo thekson se ekspertët kontabël kanë analizuar të gjitha transaksionet e saj online në 10 vitet e fundit, dhe totali i shpenzimeve për veshje, produkte kozmetike dhe aksesorë rezulton 75,025 euro.

Ajo kritikoi edhe gazetarët dhe portalet që janë marrë me fustanet e një gruaje duke fryrë 10-fish vlerën e tyre.

Unë nuk kam patur KURRE ndonjë çantë Hermes apo Chanel, sikurse është thënë në gjyqin tim publik mediatik. Nuk kam as fustane apo të brendshme me vlera absurde, sikurse ndonjë gazetar/e ka thënë.

Madje me këtë rast dua të them se ka qenë një përballje tejet e trishtueshme prej më shumë se nëntë orësh me prokurorin, ku kuptova se me jetën time ishte bërë një çorbë e madhe.

Por s’ka krahasim me asgjë trishtimi i hidhur që të jep niveli i rrugës i disa portaleve e gazetare/ëve, që merren me fustanet apo nën fustanet e një gruaje, duke e fryrë dhjetëfish vlerën e tyre, për të diskredituar armikun si në kohën e komunizmit…

Nuk kam ndier kurrë një trishtim e dëshpërim kaq të madh. Tmerr.

Mos e provoftë askush, askujt në këtë vend nuk ia uroj, këtë mizori juridike dhe mediatike”, shkruan Xoxa në sqarimin e saj.

 


Video