Hita, porosi efektivëve të Komisariatit të Krujës: Luftë kultivimit të kanabisit dhe armëve pa leje

29 April 2026, 21:10Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hita, porosi efektivëve të Komisariatit të Krujës:
Skënder Hita

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pas inaugurimit të Komisariatit të Policisë Krujë, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim pune me efektivët e këtij komisariati.

Drejtori Hita kërkoi nga drejtuesit dhe efektivët e Policisë së Krujës punë profesionale për sigurimin e informacionit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe goditjen e financuesve dhe trafikantëve të kanabisit.

“Duhet të bëni përpjekjet maksimale që të kemi një vit pa kultivim!”, tha ai.

Po ashtu ai kërkoi më shumë fokusim në kapjen e personave në kërkim, duke u ndalur te një i kërkuar në veçanti që, sa herë ushtron kontroll Policia, i gjenden armë në banesë. Por ai ende nuk është kapur. Fjala është për Ylli Zallën.

Armëmbajtja pa leje, krimet mjedisore, si dhe ndjekja në dinamikë e shqetësimeve të qytetarëve, sado të vogla qofshin ato, ishin disa nga porositë e tjera që Drejtori i Përgjithshëm la, duke kërkuar më shumë angazhim dhe profesionalizëm.

Më tej, Hita kërkoi performancë më të mirë nga punonjësit e Policisë, duke theksuar se ambientet e reja ku do të punojnë kërkojnë një performancë tjetër, me qëllim që qytetarët të marrin një shërbim sa më cilësor.

Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga shërbimet e Policisë Rrugore që të zbatojnë me rigorozitet porositë e dhëna, duke u fokusuar te teknologjia për evidentimin e shkeljeve.


Video