Itali – Tomorr Buzi, një shqiptar që banon në Romano është kthyer në hero pasi ka shpëtuar të hënën në mëngjes një familje turistësh të cilët ranë në ujërat e ngrira të liqenit Braies, pasi po bënin një shëtitje mbi akull.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, Buzi u hodh vetë të hënën në ujërat e ftohta për të shpëtuar jetën e një foshnje 4-muajshe. Në ujë ranë edhe prindërit e vogëlushit, por nuk pësuan dëmtime.
Pasi u nxorën prindërit dhe fëmija i vogël u dërguan në një klinikë në Innsbruck të Austrisë, pasi liqeni ku ka ndodhur ngjarja ndodhet shumë pranë kufirit. Të gjithë u shpëtuan nga Buzi, i cili i tërhoqi nga uji i ftohtë, ndërsa mësohet se fëmija i vogël ishte duke kaluar në hipotermi.
Si ndodhi ngjarja
Tomorr Buzi ishte në një udhëtim në liqenin Braies në Trentino Alto Adige, me gruan dhe vajzat e tij. Ai dëgjoi britmat e një gruaje që kërkonte ndihmë, të shoqëruar nga klithma e një foshnje, djali i saj katër muajsh.
Pa hezituar, Tomorri vrapoi për të shpëtuar të voglin, duke rrezikuar edhe jetën e tij. 44-vjeçari shqiptar, i cili jeton në Romano di Lombardia, shkoi drejt shtresës së akullit që kishte mbuluar liqenin. Ecja mbi të do të ishte e pamundur, duke pasur parasysh trashësinë e vogël të akullit, që bëri që 8 persona të binin në ujë të hënën e kaluar. Buzi u zvarrit dhe u rrotullua me kujdes në akull, për të arritur tek fëmija në rrezik, derisa mundi ta kapte.
“Askush nuk mund t’i rezistonte kurrë klithmave të një gruaje që kërkon ndihmë, aq më pak klithmës së një foshnje. Ai ishte aq i vogël dhe i pafuqishëm. Kur e pashë, i prekur nga instinkti, vrapova menjëherë për ta shpëtuar. Është çështje sekondash në të cilat nuk mendoni për asgjë tjetër veç misionit tuaj”, tha shqiptari për mediat italiane
Gruaja dhe vajza i bërtisnin të mos shkonte, por ai nuk i dëgjoi.
“Gruaja ime dhe vajzat e mia kishin frikë, unë jo. Në atë moment provova gjithçka. Por kurrë nuk kam pasur frikë për jetën time. Ai fëmijë ishte në rrezik. Ndërsa familja ime ishte e sigurt dhe kjo mjaftoi për mua që të ndërhyja”.
Pasi e nxori nga uji i akullt, Tomorr Buzi e vendosi foshnjën në sipërfaqen e ngrirë, duke pritur ndihmë. Ai vetë qëndroi në ujin e akullt dhe pasi mbërriti ndihma të dy u shpëtuan.
“Eca thuajse 100 metra i zvarritur në akull në një luftë të dëshpëruar kundër kohës. Kur arrita aty ku ishin, nëna me gjithë forcën që kishte e nxori fëmijën nga uji. Ishte e qartë se ajo ishte e rraskapitur. U përkula dhe e kapa".
I lumtur, por edhe në siklet, 44-vjeçari, i cili më pas ka marrë edhe telefonatën nga prindërit e fëmijës: “Duan të vijnë të më shohin për të më falënderuar”.
Falënderimi
“Më thanë që kur Tomorri pa fëmijën dhe prindërit në rrezik, nuk hezitoi që t’i ndihmonte. Një përgjegjës, i pushtuar nga emocionet teksa rikujtonte momentet dramatike, më tregoi se si mori fëmijën në krahë nga Tomorri, një fëmijë, i cili i shpëtoi vdekjes falë ndërhyrjes në kohë dhe heroike të bashkëqytetarit tonë. Kërkova që të takoja personalisht zotin Tomorr Buzi për të pasur mundësinë që t’i shtrëngoja dorën, ta falenderoja dhe t’i shprehja në emër të gjithë komunitetit tonë se ne jemi krenarë për të”, tha kryebashkiaku i Romanos, Sebastian Nicoli.