Elton Qyno, gazetari i cili u sanksionua nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka folur sot në “ABC Live” duke theksuar se ka vendosur t’i bindet këtij urdhër ndalimi për mos publikimin e të dhënave të tjera nga dosja e Nuredin Dumanit.
Megjithatë gazetari Qyno u shpreh se do të shikojë mundësinë ligjore nëse do të mund të godas urdhrin nga SPAK që e urdhëron të mos publikojë asnjë të dhënë tjetër. Qyno u shpreh se ka nisur edhe një hetim për nxjerrje informacioni. Sipas Qynos ai u thirr në BKH dhe ka firmosur urdhrin e ndalimit, në të kundërt, gazetarët rrezikojnë deri në 5 vite burg.
“Do respektoj vendimin e tyre se e arritën qëllimin. Nëse ligjërisht po shikoj mundësinë për të goditur këtë urdhër. Do mundohem ta realizoj nëpërmjet gjykatës. Nëse nuk ka mundësi do presim deri në një moment të dytë,” tha Elton Qyno.
Kujtojmë se Nuredin Dumani, është një emër i njohur i botës së krimit. Ai u arrestua nga policia më 29 mars të këtij viti, pasi shkroi që t’i bënte atentat Talo Çelës në fshatin Papër në Elbasan, por ai iu kundërpërgjigj duke e lënë të plagosur. Dumani u kap pak orë më vonë në Fier, ndërsa kishte marrë plagë në kurriz.