Grabitja e Wester Union në Divjakë, Policia: Autori ishte vetëm një, jo tre. Burime: Jashtë e priste shoku, u larguan me motor

11 November 2022, 18:58Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Grabitja e Wester Union në Divjakë, Policia: Autori ishte vetëm
Foto ilustruese

Policia e Divjakës ka reaguar pas denoncimit të deputet Saimir Korreshi për grabitjen e një pike të "Western Union" sot në Divjakë.

Ndryshe nga deputeti, Policia thotë se autori ka qenë një i vetëm, ende i paidentifikuar dhe uniformat blu po punojnë për identifikim dhe kapjen e tij.

Por, burime bëjnë me dije se ngjarja është filmuar e gjitha nga kamerat e sigurisë. Një person i maskuar, është futur brenda pikës së shkëmbimit të parave dhe nën kërcënimin e kallashnikovit, i ka detyruar punonjësit të mos lëvizin.

Ai ka arritur të marrë ç'ka gjetur aty dhe është larguar me shpejtësi. Jashtë ambientit e priste një tjetër person i maskuar me motorçikletë dhe më pas janë larguar së bashku.

Njoftimi i Policisë

Pasditen e sotme, në qytetin e Divjakës, në një pikë këmbimi valutor, një person i vetëm, ende i paidentifikuar dyshohet se nën kërcënimin e armës ka vjedhur një shumë parash dhe më pas është larguar me shpejtësi.

Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon kontrolli i zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon punën për fiksimin e çdo prove materiale që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.


Video