Prokuroria e Elbasanit ka rihapur hetimet për zhdukjen e këngëtarit të tallavës, Renato Hamzai, i njohur ndryshe si Reni.
Rihapja e hetimeve vjen paz zhvarrosjes më 3 nëntor të eshtrave të gjetura vite më parë në fshatin Babje të Librazhdit, të një personi, të cilat dyshohet se i përkasin këngëtarit të tallavasë. Kufoma u gjet vite më parë në një fshat të Librazhdit, ndërsa nga mbetjet kockore janë marrë kampione ADN-je, pasi ka dyshime të forta që ky trup mund t’i përkasë pikërisht Renato Hamzës, zhdukja e të cilit vijon të mbetet një enigmë edhe sot.
Me rihapjen e hetimeve, prokuroria e Elbasanit ka mundur të sigurojë indicie të reja, çka ka shtyrë që të marrë edhe vendimin për zhvarrosjen e trupit të gjetur dhe ende të paidentifikuar.
Ka qenë Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili pas vlerësimit të situatës vendosi zhvarrosjen e trupit të gjetur në fshatin Babje të Librazhdit.
Burime pranë grupit hetimor bënë me dije për Abc se ekspertët janë shprehur se eshtrat e gjetura në vitin 2014-të në fshatin Babje të Librazhdit kanë ngjashmëri kockore me skeletin e Renato Hamzës, por kjo mbetet për tu vlerësuar pas 45 ditësh pas daljes së ADN-së.
Mësohet se ka dyshime të forta se këngëtari i muzikës tallava Renato Hamza, mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarje kriminale që ky grup kishte kryer.
Familjarët prej kohësh kanë dyshuar se ato eshtra i përkisnin Renato Hamzës, por kjo ngjarje dyshohet se është manipuluar nga Policia dhe Prokuroria për të mos e zbardhur dhe nuk i bënë testin e ADN-së pas kërkesës së familjarëve që në atë kohë kur u zbulua kufoma.
Po ashtu, një enigmë tjetër, mbetet dhe pse nuk është marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje dhe Denis Xhija, i arrestuar pak kohë më parë në Kolumbi. Në pamjet e kamerave të sigurisë, ishte pikërisht ai dhe Indrit Shaqe të cilët e takuan për herë të fundit Renato Hamzën dhe e morën me vete.