Mandati i Holta Zaçajt përfundon më 10 mars 2025. Vendimi është marrë nga mbledhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në mbledhjen e anëtarëve të Kushtetueses nuk ka qenë prezente Holta Zaçaj.
Por duket se anëtarët e Kushtetueses janë dakordësuar me datën kur Gjykata e Lartë kishte shpallur vakancën, pra 10 marsin e 2025. Zaçaj pretendonte se në këtë datë kishte përfunduar mandati i anëtares Vitore Tusha, që Kryetarja në detyrë e Kushtetueses, e zëvendësoi.
Njoftimi i mbledhjes së Kushtetueses:
Sot, më 23.12.2024, ora 13:00, u çel seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj, për deklarimin e mbarimit të mandatit të saj si gjyqtare kushtetuese.
Në fillim të seancës Gjykata administroi një opinion me shkrim të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe disa kërkesa procedurale të saj. Në lidhje me këto të fundit Gjykata vendosi: njëzëri, rrëzimin e kërkesës për pezullimin e shqyrtimit të çështjes deri në dhënien e opinionit të Komisionit të Venecias sipas kërkesës së bërë prej saj në datën 10.12.2024; me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës për kërkimin nga Gjykata të një opinioni amicus curiae nga Komisioni i Venecias dhe pezullimin e shqyrtimit të çështjes sipas ligjit. Ndërsa për sa i përket kërkesës së tretë, për pezullimin e zbatimit të aktit Njoftim të Kryetarit të Gjykatës së Lartë për shpalljen e vakancës dhe procedurës së bazuar mbi këtë akt, Gjykata vendosi, njëzëri, që ta shqyrtojë bashkë me themelin e çështjes.
Pasi u tërhoq për vendimmarrje, Gjykata vlerësoi se çështja e parashtruar është në kompetencën e saj sipas nenit 127, pika 2, të Kushtetutës; se ajo është vënë në lëvizje në mënyrën e parashikuar nga ligji organik; dhe se ajo është e detyruar të japë vendim për çështjen pavarësisht datës së saktë të mbarimit të mandatit.
Gjykata vuri re se qëndrimi në detyrë dhe kohëzgjatja e mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj lidhet me kuptimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, të normave të tjera kushtetuese, për aq sa ato lidhen me të, normave të ligjit organik të Gjykatës, si dhe akteve të procedurës së zgjedhjes/emërimit të saj.
Gjykata konstatoi se pas reformës kushtetuese të vitit 2016 ky është rasti i parë kur ajo përballet me përmbajtjen dhe zbatimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, i shtuar me ligjin nr. 76/2016.
Duke marrë shkas nga faktet që u verifikuan në këtë çështje, Gjykata thekson se hapja e procedurës për plotësimin e një vendi vakant duhet të fillojë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit të anëtarit të saj sipas nenit 127, pika 2, të Kushtetutës dhe Kryetari i saj ka njoftuar organin përkatës të emërtesës sipas nenit 9, pika 3, të ligjit organik. Kur organi i emërtesës vlerëson se Gjykata Kushtetuese nuk ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t`ia kërkojë Gjykatës këtë gjë me shkrim, duke parashtruar edhe argumentet përkatëse lidhur me mbarimin e mandatit të gjyqtarit për të cilin është organ emërtese sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në këtë rast Gjykata duhet të shprehet me vendim, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim. Kjo mënyrë e të vepruarit bazohet në parimin e luajalitetit kushtetues dhe garanton ushtrimin pa pengesa të kompetencave nga çdo organ në procedurën e zgjedhjes/emërimit të gjyqtarit kushtetues dhe, çka është më e rëndësishme, pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi: “ Deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj, në datën 10.03.2025”.