Gjykata e Elbasanit ka lënë në arrest shtëpie drejtorin e zjarrfikëses në Bashkinë e Cërrikut, Artjon Taçi, 36 vjeç, dhe katër personat e tjerë të arrestuar tre ditë më parë për falsifikim dokumentesh, ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe përdorim të funksionit politik në veprimtari zgjedhore.
Në seancën e sotme me dyer të mbyllura ndaj tyre është caktuar masa arrest në shtëpie.
Bashkë me zyrtarin e zjarrfikëseve në pranga ranë edhe Agiano Dinoshi, punonjës i tatim taksave, Adnand Xhelili, specialist i zjarrfikëses, Alban Shima, përgjegjës i OSHEE Cërrik, dhe Armand Gjoka, punonjës i zjarrfikëses, të gjithë banues në Cërrik.
Prokuroria i akuzon se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë dhënë vërtetime false për subjekte biznesi që kishin detyrime të pa paguara në bashkinë e Cërrikut.
Ndaj pesë personave të arrestuar ka dyshime edhe për pjesëmarrje aktive në zgjedhjet lokale të 14 majit, në një kohë që ligji e ndalon angazhimin e punonjësve të administratës.