
GJKKO ka firmosur 6 urdhër kontrolle për anëtarë të shtabeve elektorale të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit në Shkodër.
Janë sekuestruar celularët, ndërkohë që janë kryer kontrolle dhe kontroll edhe në makinat e anëtarëve të shtabeve elektorale të PSD.
Raportohet se njëri prej tyre ka refuzuar kontrollet. Për pasojë ai është shoqëruar nga policia.
Në Shkodër ishte edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, ku zhvilloi një takim me prokurorin Albert Murçaj në kuadër të intensifikimit të hetimeve në lidhje me indiciet për krime zgjedhore.
Të njëjtën gjë kreu i SPAK bëri edhe në Lezhë, ku u takua me Arben Nikën, të komanduarin si kryeprokuror i Lezhës, si dhe me përfaqësues të Policisë Vendore në Lezhë.
Tre ditë para zgjedhjeve, SPAK njofton zyrtarisht se janë administruar materialet për 123 raste të dyshuara për krime zgjedhore, nga të cilat vetëm 35 raste kanë nisur procedime penale, nën dyshimin e krimeve zgjedhore, për të identifikuar personat që po tentojnë të ndikojnë në zgjedhje.
Në 8 raste, SPAK ka nisur hetimet kryesisht, ndërsa në 20 raste të tjera ka qenë policia ajo që i ka referuar rastet në SPAK.
Pavarësisht zhurmës së madhe politike që partitë politike kanë bërë gjatë kësaj fushate me pretendime për shit-blerje votash apo presion mbi administratën, vetëm për dy kallëzime të subjekteve politike janë regjistruar procedime penale.
Tre kallëzime të tjera kanë ardhur nga qytetarë dhe dy nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.