Gjergj Luca thirrje patriotike për tubim për ndërtimin e rrugës që lidh 30 fshatra në Dukagjin

18 February 2023, 17:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjergj Luca thirrje patriotike për tubim për ndërtimin e
Biznesmeni Gjergj Luca

Biznesmeni Gjergj Luca iu ka bërë thirrje të gjithë shkodranëve të dalin në tubimin e thirrur nga dukagjinasit në kryqendrën e veriut, ku do të kërkojnë një rrugë që lidh 30 fshatrat e Dukagjinit. Protesta zhvillohet ditën e hënë, në orën 10:00.

Ai i ka bërë thirrje dhe politikës që të dalin, të lënë ndasitë politike dhe të plotësojnë këtë kërkesë. Gjergj Luca premton se nëse qeveria e bën atë rrugë, ai do të ndërtojë një muzeum, për të treguar historinë e Dukagjinit dhe dukagjinasve.

“Nga pamundësia për të marrë pjesë në një ftesë që më ka ardhur nga dukagjinasit e mi në një tubim që do të bëhet në Shkodër për të kërkuar një të drejtë të ligjshme të tyre, që kanë 30 vjet demokraci që e kërkojnë ditë natë. Për të lidhur 30 katunet e Dukagjinit deri në Theth.

Unë ndiej nga thirrja e rrënjëve të mia, nga thirrja e gjakut tim, që unë duhet të bëj para jush një prononcim publik dhe t’i bashkohem atij tubimi që do të bëhet në Shkodër. Dukagjini është nga pjesët më të shëndetshme dhe një nga rrënjët më të forta të historisë së Shqipërisë dhe unë nuk dua të bëj histori, por ju të gjithë e dini se çfarë ka përfaqësuar ajo.

Unë i lutem shumë zotnive, qytetarëve të kahershëm të Shkodrës, atyre njerëzve që i kanë hapur derën babës tim dhe e kanë marrë 5 vjeç dhe e kanë shkolluar dhe e kanë qytetëruar dhe im atë më pas ka ecë përpara me genin e tij, me temperamentin e tij por dhe me formimin që i ka dhënë Shkodra. I lutem t’i bashkohen këtij tubimi, i bëj thirrje qytetarëve të rinj që të dalin në atë tubim. Të gjithë qytetarët të dalin dhe t’i bashkohen këtij tubimi dhe të bëhen të gjithë bashkë për të kërkuar një të drejtë të ligjshme të 30-40 mijë dukagjinasve që janë në Shkodër dhe rrethinat e saj që sot ndajnë jetën me shkodranët.

I bëj thirrje dhe politikës tonë që t’i lejë përrallat e djathtë dhe e majtë, ditën e hënë. I bëj thirrje Elisës (Spiropalit), Tom Doshit, djalit të familjes së mirë Helidon Bushatit, djalit të Ali Spahisë, i cili pjesën më të vështirë të jetës së vet e ka kaluar në ato gurë dhe ato shpate, në shtëpitë e dukagjinasve. Lërini përrallat e politikës që na kanë sakatuar 30 vjet se nuk ka rren më të madhe në këtë vend se të majtë dhe të djathtë. Sepse në këtë vend ka punëtorë dhe legena.

Në qoftë se qeveria, politika thotë PO do të bëjmë një rrugë në 30 katundet e Dukagjinit, një rrugë për turizmin, për historinë, për të kuptuar ky popull se ku i ka rrënjët e vërteta të thella dhe unë do bëj një muzeum të madh bashkë me një vend pritje ku njerëzit të vijnë dhe të shohin atë histori, të hanë në një bujtinë, të bëhen disa dhoma hotel dhe të shkojnë tek të gjithë katundet me radhë.” shprehet Gjergj Luca.


Video