Një operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke rezultoi në zbulimin dhe sekuestrimin e një arsenali të konsiderueshëm armësh zjarri dhe municioni luftarak.
Gjatë kontrolleve në banesa të disa shtetasve shqiptarë të dyshuar për vrasje me pagesë, u gjetën tre armë automatike, qindra fishekë dhe krehra armësh në fshatin Labovë të Kryqit në Gjirokastër.
Armët dhe municioni ishin fshehur në banesën e një prej të arrestuarve në Greqi, i cili dyshohet për përfshirje në aktivitete kriminale dhe u arrestua dy ditë më parë me akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal, që posedonte armë zjarri.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur gjithashtu se në kuadër të këtij grupi kriminal, kanë qenë 4 persona të cilët po hetohen dhe që dyshohet të jenë vrasës me pagesë. Ata janë Dhimitër Meci, Andrea Brokeri, Fatjon Prendi dhe Petro Theohari.
Ndërkohë Policia në bashkëpunim me Prokurorinë dhe homologët grekë po vijojnë hetime të thelluara, për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit-Finalizohet operacioni policor i koduar "Provat".
Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke çoi në zbulimin dhe sekuestrimin të një arsenali armësh zjarri dhe municioni luftarak.
Sekuestrohen 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra.
Armët dhe municioni luftarak u gjetën në një nga banesat e një prej të arrestuarve në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë.
Në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke, pas shkëmbimit të informacionit për kapjen e disa shtetasve shqiptarë në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Provat", zhvilluan kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.
Si rezultat i kontrollit në fshatin Labovë e Kryqit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër gjetën të fshehura, në banesën e shtetasit Dh. M., 45 vjeç, 2 kallashnikovë dhe një armë zjarri automatike, të dyshuar të trafikuar dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Armët e zjarrit, që u gjetën në banesën e 45-vjeçarit, i ndaluar 2 ditë më parë në Greqi, mbi akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal që posedonte armë zjarri, do të dërgohen tek Instituti i Policisë Shkencore për ekspertim teknik.
Me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasve shqiptarë Dh. M., 45 vjeç, banues në Labovën e Kryqit Gjirokastër; A. B., 32 vjeç, banues në Kudhës Himarë; F. P., 39 vjeç, banues në Lezhë; dhe P. Th., 31 vjeç, banues në Muzinë Sarandë, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, ato të DVP Gjirokastër, Vlorë e Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet e thelluara duke koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me homologët grekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.