EMRI / Pjesë e grupit të strukturuar kriminal, arrestohet kuksiani i shpallur në kërkim nga GJKKO

11 July 2024, 19:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EMRI / Pjesë e grupit të strukturuar kriminal, arrestohet kuksiani i
Arrestimi i Adrian Cenaj (Dedja)

Një 38-vjeçar i akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal është vënë në pranga gjatë një aksioni të policisë ditën e sotme në Tiranë.

Bëhet fjalë për shtetasin Adrian Cenaj (Dedja) nga Kukësi, i cili akuzohet se ka siguruar kushtet për kryerjen e vrasjeve, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 12”.

I akuzuar nga GjKKO-ja, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim të mjeteve/kushteve për të kryer vrasje, kapet në Tiranë dhe vihet në pranga 38-vjeçari.

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 12”, lokalizoi në Tiranë, kapi dhe vuri në pranga shtetasin e shpallur në kërkim A. C. (D.), 38 vjeç, i lindur në Kukës.

Gjykata e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 11.07.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë bashkëpunimi, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Video