Avokati i Popullit ka reaguar pak orë përpara nisjes së protestës së opozitës, duke bërë thirrje për zhvillimin e një proteste paqësore dhe të qetë.
AP thotë se çdokush ka të drejtën të protestojë, por thekson se ajo duhet të zhvillohet në mënyrë të qetë.
Grupe të AP do të jenë në terren për të monitoruar protestën.
Deklarata e Avokatit të Popullit:
Protestat paqësore janë një e drejtë themelore e njeriut dhe një shprehje thelbësore e demokracisë.
Institucioni i Avokati i Popullit bën të ditur se përmes grupeve në terren, do të jetë në monitorim të protestës opozitare që zhvillohet sot në mbrëmje.
Gjithashtu, Avokati i Popullit gjen rastin të theksojë se organet e rendit janë të pranishme në protesta për të siguruar që të garantohet ushtrimi i qetë i të drejtës për të protestuar.
Ndërkohë, veprimet e dhunshme, qofshin ato edhe sporadike, nuk janë zgjidhje, por përshkallëzojnë konfliktin dhe cënojnë të drejtën e protestuesve paqësorë që të ushtrojnë të qetë të drejtën e tyre për të shprehur solidaritetin në lidhje me qëllimin e protestës.
Çdo aspekt i shkeljes së të drejtave të njeriut në këtë protestë do të jetë i monitoruar nga grupet tona në terren dhe do të raportohet në përputhje me detyrimet tona ligjore.
Së bashku, mund të sigurojmë që kjo protestë të zhvillohet në mënyrë të qetë, duke treguar se si një shoqëri demokratike mund të zgjidhë mosmarrëveshjet me dialog dhe respekt të ndërsjellë.