
Dy grupe kriminale që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike janë goditur ditën e djeshme si pasojë e një operacioni anti-drogë të policisë së Tiranës. Në pranga kanë rënë 20 persona dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije se për realizimin e këtij operacioni të koduar ‘Harta’ janë përdorur metoda speciale të hetimit që ka zgjatur prej muajsh.
Të ftuar ditën e djeshme në Zona Zero në Top News eksperti i sigurisë Fatjon Softa, ka folur për kriminalitetin në vend si dhe shpërndarjen e droges në shkolla.
Eksperti Softa ka bërë një deklaratë të fortë ku shprehet se edhe brenda QSUT shpërndahet drogë dhe se policia duhet të bëjë një kontroll më të mirë.
“Nëse goditja do jetë duke filluar nga grupet e mëdha kriminale, dhe pastaj te shpërndarësit e deri te përdoruesit do të ishte një kontroll më i mirë i territorit. Një kontroll më i mirë nuk do të thotë, sot bëjmë shkollat, nesër lokalet, pastaj në spitale.
Duhen parë dhe spitalet se dhe atje ka qendra të mëdha, janë vende ku shpërndahet drogë e përdoret. Qendra spitalore duhet të kontrollohet se ka informacione që ka dhe atje shpërndarës”, u shpreh eksperti.